Padia për shpifje e Enes Gogës ndaj Arbana Xharrës dhe gazetës "Zëri", rasti që priti gati 8 vjet për një vendim

Plot 2 mijë e 825 ditë i janë dashur Gjykatës së Prishtinës për t’i dhënë përgjigje padisë për shpifje që Enes Goga kishte ushtruar ndaj Arbana Xharrës dhe gazetës “Zëri”.

Gjykimi i drejtë dhe i shpejtë është njëri nga parimet e drejtësisë por në çështjen në fjalë standardi u shkel dhe gazetarët harxhuan shumë vite duke pritur vendimin i cili konstatoi se raportimi i gazetares ishte me standarde.

Të dhënat tregojnë se me 25.04.2016, Enes Goga dorëzoi padinë për kompensim të dëmit shpirtëror me pretendimin se në artikujt e gazetës “Zëri” kishte shpifje.

Në nisje, procesi u duk se do të shkonte shpejt. Hulumtimi tregon se një muaj pas dorëzimit të padisë, me datë 20.05.2016, gjyqtari Hasim Sogojeva kishte nxjerrë aktvendim që palët të bëjnë përgjigje në padi. Dokumentet u dorëzuan brenda afatit por gjykatës iu deshën 7 vjet për të caktuar seancën e parë për ta trajtuar padinë.

Sipas dosjes që posedon gjykata vetëm me datë 11.09.2023 u mbajt shqyrtimi përgatitor nën udhëheqjen e gjyqtares Lendita Berisha. Në fund të kësaj seance gjykata me aktvendim aprovoi vetëm propozimin për dëgjim të Enes Gogës në cilësi të dëshmitarit. 42 ditë më vonë përkatësisht me datë 23.10.2023 u mbajt seanca kryesore.

Goga në këtë seancë tregoi katër pretendimet e tij, që i ka konsideruar si shpifje dhe fyerje në artikullin e publikuar. Në këtë seancë prezent ishte kryeimami Enes Goga, kurse Arbana Xharra dhe gazeta “Zëri” u përfaqësuan nga Lekë Morina.

Shqyrtimi i radhës u caktua 25 ditë më vonë, me datë 17.11.2023, por kjo seancë u anulua për shkak të mungesës së gjyqtares Lendita Berisha. Kështu që seanca e fundit për shqyrtimin e rastit arriti të mbahej vetëm më tepër se 2 muaj pas seancës paraparake, përkatësisht me datë 27.12.2023.

Më 19.01.2024, kur tashmë kishin kaluar 7 vjet, 8 muaj e 25 ditë, Gjykata e Prishtinës i dha epilog, së paku në shkallë të parë, këtij kontesti, duke e refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e kreimamit ushtruar ndaj dy të paditurave.

Ligji për Procedurën Kontestimore parasheh që aktgjykimi duhet të nxirret 15 ditë prej seancës së fundit.

Gjetjet e gjykatës

Kërkesat e radhitura në padi i ka konsideruar të pabazuara gjyqtarja e rastit Lendita Berisha, e për më tepër Enes Gogës ia ka akorduar edhe detyrimin e shpenzimeve procedurale, përkatësisht shumën e përgjithshme prej 312 eurove të cilën do t’ia paguajë dy palëve të paditura.

Gjykata ka vlerësuar se temat e trajtuara në artikullin që është objekt i gjykimit, e që ndërlidhet kryesisht me aktivitetet e pjesëtarëve të lëvizjeve fetare paraqesin çështje të interesit të përgjithshëm publik.

Bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës, por edhe deklarimet e vet paditësit, gjykata gjen se paditësi ka pasur dhe ka rol aktiv në jetën fetare në Kosovë, pasi që mbante pozitën e kryeimamit në Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë. Ndaj sipas vlerësimit të gjykatës, paditësi është person i njohur për publikun, dhe si i tillë do të konsiderohet person publik, “andaj, kufijtë e kritikës së pranueshme duhet të jenë më të gjera sesa në rastin kur objekt kontesti mund të jenë deklarimet apo publikimet ndaj një individi privat.”

Më tutje Gjykata e Prishtinës ka aplikuar konstatimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut e cila në një nga rastet e gjykuara, kishte konkluduar se gazetarëve nuk duhet t’iu kërkohet të ofrojnë prova lidhur me bazën faktike të të thënave në artikujt e tyre, në rastet kur autori raporton për atë që thuhet nga të tjerët.

Këtij konstatimi i është bashkëngjitur edhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës i datës 01.11.2023 cili kishte konstatuar se “i padituri nuk ka për detyrim që paditësit t’ia kompensojë dëmin mbi bazën e shpifjes, për shkak të informacionit shpifës ndaj personalitetit të paditësit në mënyrë publike, […] për arsye, sipas aktgjykimit me këtë rast rezulton se deklarata e të paditurit ndaj paditësit e dhënë në një gazetë, e cila në artikullin e vet ka përdorur edhe disa burime tjera informacioni dhe deklaratat e të paditurit nuk përbën shpifje dhe fyerje, por se mund të konsiderohet një çështje e ngritur në interesin e përgjithshëm”.

Palët ndaj aktgjykimit kanë pasur të drejtë në Gjykatën e Apelit.