Ilustrim

Stërzgjatja e betejës juridike në mes “Devolli Corporation” dhe "Kosova Sot"

Për më shumë se 8 vite padia për shpifje  e “Devolli Corporation” kundër gazetës “Kosova Sot” dhe Reshat Badallajt nuk kanë marrë përgjigje nga Gjykata e Prishtinës.

Të dhënat tregojnë se kompania në fjalë dorëzoi padinë për shpifje më 17.04.2015.

Veprimet e para u ndërmorën vetëm pas 17 muajsh, kur gjykatësi Adnan Konushevci u kërkoi paditësve të japin përgjigjet në padi.

Nga ajo kohë deri në vitin 2023 në këtë lëndë nuk u ndërmorën veprime të tjera. Të dhënat tregojnë se paditësit parashtruan disa urgjenca në gjykatë por pa ndonjë rezultat konkret.

Më në fund, më 20.06.2023 u organizua seanca përgatitore për këtë padi por e cila për shkak të një gabimi teknik shkaktoi probleme të mëvonshme.

Procesi i kësaj date nis në orën 10:00 dhe gjykata konstaton se në sallë nuk janë përfaqësuesit e paditësit “Devolli Corporation”.

Sipas nenit 409 paragrafit të parë të këtij ligji, në qoftë se në seancën përgatitore nuk vjen pala paditëse, edhe pse është thirrur rregullisht, padia konsiderohet e tërhequr, përveç kur i padituri kërkon që seanca të mbahet.  Mbi këtë parim gjyqtari Përparim Zeka vendosi që padia të konsiderohet e tërhequr.

Të dhënat e BIRN tregojnë që ky vendim u ndryshua pak ditë më vonë. Këtë aktvendim e kundërshtoi pala paditëse “Devolli Cooperation” sipas kërkesës, përfaqësuesi i paditësit nga Shoqëria e Avokatëve “SCLR Partners” është paraqitur në seancën e datës 09.06.2023 dhe atë në ora 10:30 në përputhje me ftesën nga Gjykata.

Mirëpo “SCRL Partners”, respektivisht avokatët e autorizuar Qëndrim Zogaj, Hekuran Haxhimusa dhe Blerim Prestreshi, kanë argumentuar se gjykata ka bërë një gabim teknik dhe seancën e ka mbajtur në ora 10:00, diku 30 minuta më herët dhe si rezultat i këtij gabimi është konstatuar gabimisht se paditësi nuk ka prezantuar në seancë dhe padia është konsideruar e tërhequr.

Paditësit kanë ofruar dy dëshmi për të mbështetur versionin e tyre, dhe atë: ftesën për seancën dhe procesverbalin e seancës.

Këto argumente i kishte gjetur të mbështetura gjyqtari i rastit Përparim Zeka, me ç’rast ka nxjerrë një aktvendim të dytë duke e prishur aktvendimin e parë.

Në aktvendimin e përpiluar nga gjykatësi Përparim Zeka thuhet se duke qenë se seanca është mbajtur në orë të ndryshme nga ajo që u dërgua me ftesë dhe se paditësi nuk ka lëshuar asnjë afat, pra është paraqitur për seancë dhe se lejohet kthimi në gjendjen e mëparshme apo rifillimi i gjykimit, pasi i njëjti ishte pushuar.

Pas këtij aktvendimi, gjykata nuk ka nxjerrë një datë të re për të treguar se për çfarë date është caktuar seanca tjetër. Raportet tregojnë se Gjykata në vend veçanërisht janë të ngarkuara me lëndë të natyrës civile.

Krahasimisht më e ngarkuara me lëndë në përgjithësi është ajo e kryeqytetit.

Sipas Raportit Statistikor të 9-mujorit të parë të vitit 2023, lëndë në pritje raportuese në periudhë raportuese janë plot 27,940, më shumë se gjysma e të cilave janë së paku 2 vite të vjetra.

Avokati Granit Vokshi thotë së rastet e shpifjes dhe fyerjes janë rastet më të neglizhuara nga gjykatat në vend.

“Fatkeqësisht, shpifjet dhe fyerjet janë rastet më të neglizhuara nga gjykatat, mesatarisht merr kohë kohë 3 deri në 4 vite që të thirret seanca e parë” – shprehet avokati Granit Vokshi për KALLXO.com.

Ai thotë se duhet të ketë afat brenda së cilit përfundohet rasti.

“Unë besoj se afati i komplet shqyrtimit gjyqësor duhet të jetë 2 vite. Tashmë e kemi një iniciativë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë ku po tentohet të bëhet një ligj mu kufizu afati kohor brenda të cilit rastet gjyqësore duhet të përfundohen, nuk e di se di do ta caktojnë ata por [Ministria e Drejtësisë por 2 vite është njëfarë praktike edhe sipas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut” – është shprehur avokati Granit Vokshi.