Ymeri kritikon abstenimin e Malit të Zi e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në ENTSO

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri ka kritikuar abstenimin e Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në ENTSO. 

Të njëjtin veprim e ka bërë edhe Mali i Zi. 

Ai në një postim në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se anëtarësimi i Kosovës në rrjetin e  operatorëve të sistemeve të transmisionit të energjisë elektrike për vendet e Europës është i rëndësishëm. 

“Pranimi i Kosovës në këtë rrjet do të nënkuptonte pavarësim formal e real të sistemit energjetik të Kosovës nga ai i Serbisë. Përveç tjerash ne humbim miliona euro në pagesa, por edhe nga mosinkasimi i mjeteve për tranzitin e energjisë elektrike nëpër rrjetin e KOSTT”, ka shkruar Ymeri. 

Sipas Ymerit Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të kërkojë përgjigje e përgjegjësi zyrtare nga këto dy shtete fqinje për këtë abstenim. 

“Kjo nuk bën të kalojë me kaq. Nuk duhet të sillemi si inferiorë. Kosova ka treguar nje gadishmëri të madhe të ndërtojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të dyja, edhe Maqedoninë edhe Malin e Zi. Ky veprim i tyre i fundit nuk është akt i fqinjësisë së mirë. Nuk mund të mbash pozicion që Kosova është edhe e pavarur edhe pjesë e Serbisë (siç pretendon Serbia dhe siç e arsyetom ajo fushatën e egër për bllokim të Kosovës në secilën fushë). Këtë pozicion të dyfisht as nuk e pranojmë e as nuk mundemi ta tolerojmë”, ka shkruar tutje Ymeri. 

Ai shtoi se ‘marrëveshja përndryshe shumë e dëmshme me Serbinë për energjinë e kishte vetëm një të mirë: anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-e. Tash e sa vjet as kjo nuk po përmbushet. Kjo flet shumë për këtë lloj dialogu me Serbinë. Qartazi, Serbia nuk po joshet me koncesione. Prandaj duhet ta shtojmë kushtëzimin. Nuk ka normalizim pa njohje. Dhe nuk mund te ketë kurrfarë marrëveshje pa njohje’.