Presidenti malazez Jakov Milatoviç duke folur në Podgoricë. Foto: Presidenti i Malit të Zi.

Presidenti malazez kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999

Saktësisht 25 vjet pasi trupat e Ushtrisë Jugosllave vranë gjashtë shqiptarë të Kosovës, duke përfshirë dy fëmijë, në një fshat kufitar, presidenti malazez thotë se kërkimi për drejtësi dhe të vërtetën rreth krimit duhet të vazhdojë, si edhe duhet të ngrihet një memorial për viktimat.

Viktimat e krimit në Kaludjerski Laz, të kryer saktësisht 25 vjet më parë në vitin 1999 në Mal të Zi, meritojnë drejtësi dhe autoritetet nuk duhet të heqin dorë nga vërtetimi i së vërtetës dhe vënia e autorëve para përgjegjësisë, tha të mërkurën presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Në Kaludjerski Laz, një fshat afër kufirit me Kosovën, anëtarët e Ushtrisë Jugosllave vranë gjashtë civilë shqiptarë të Kosovës, duke përfshirë dy fëmijë, më 18 prill 1999.

Pesë të tjerë u plagosën në sulm, i cili ndodhi gjatë bombardimeve 78-ditore të NATO-s ndaj Jugosllavisë, që synonte ta detyronte presidentin Sllobodan Millosheviç të tërhiqte forcat serbe nga Kosova.

Sipas të dhënave të prokurorisë, nga prilli deri në maj 1999, 11 shqiptarë të tjerë etnikë u vranë gjithashtu në zonat e afërta ndërsa po largoheshin nga Kosova gjatë bombardimeve të NATO-s.

Krimet kanë mbetur pa u ndëshkuar.

Milatoviçi tha se ngjarjet përfaqësonin një kapitull të errët në historinë malazeze, të shënjuar nga humbja e jetëve të njerëzve të pafajshëm që kishin kërkuar strehim në vend.

“Viktimat meritojnë drejtësi dhe për këtë arsye u bëj thirrje autoriteteve kompetente që të mos heqin dorë nga vërtetimi i plotë i së vërtetës dhe vënia e autorëve para përgjegjësisë. Gjithashtu, bëj thirrje për ngritjen e një memoriali dinjitoz që do të nderojë përgjithmonë viktimat, por gjithashtu do të shërbejë si një vend mësimi për brezat e ardhshëm”, tha Milatoviçi.

Në fshatin  malazez u mbajt gjithashtu një përkujtim për viktimat e krimit të ndodhur atje 25 vjet më parë.

Përfaqësues të Komunës së Rozhajës paralajmëruan vendosjen e një pllake përkujtimore për viktimat.

FOTO: BIRN/Samir Kajoseviq
Rozhaje
BIRN/Samir Kajoseviq

 

Këtë vit, OJQ-të i kërkuan edhe Prokurorisë Speciale të Shtetit që të rishqyrtojë rastin. Aksioni për të Drejtat e Njeriut tha se ndëshkimi i krimeve të luftës është i rëndësishëm për viktimat dhe familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë, pasi do të ndihmonte në parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla.

Qendra për Edukim Qytetar tha se drejtësia për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre është një detyrim. “Të gjithë të vrarët ishin të kombësisë shqiptare dhe erdhën në Mal të Zi duke iu larguar luftës, dhunës dhe persekutimit. Kjo tregon se kryerja e këtij krimi ka pasur vetëm motive etnike”, tha OJQ-ja.

Në mars të vitit 2007, Prokuroria e Lartë nisi një hetim ndaj oficerit të Ushtrisë Jugosllave Pavle Strugar dhe 11 ish-ushtarëve të Ushtrisë Popullore Jugosllave lidhur me përfshirjen e tyre të dyshuar në krime lufte pranë kufirit të Kosovës.

Gjatë gjykimit të tyre, prokuroria pretendoi se trupat e Ushtrisë Popullore Jugosllave hapën zjarr ndaj një grupi refugjatësh shqiptarë që po kalonin kufirin nga Kosova. Mbrojtja pretendoi se Ushtria Popullore Jugosllave po mbronte kufirin nga sulmet e mundshme nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK.

Në dhjetor 2013, Gjykata e Lartë në Bijelo Polje i liroi nga akuzat të pandehurit, duke argumentuar se prokurorët nuk ofruan prova të mjaftueshme. Një vit më vonë, Gjykata e Apelit e konfirmoi vendimin.