Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi - Foto: KALLXO.com

Xhaferi Tregon Nga Buron Racizmi Ndaj Gjuhës Shqipe në Maqedoni

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ku ditë më parë u miratua Ligji për Përdorimin e Gjuhëve që e zyrtarizon gjuhën shqipe atje, ka komentuar kundërshtimet që i ishin bërë këtij Ligji.

Xhaferi i ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se kundërshtimi i gjuhës shqipe atje buron nga pasiguria e identitetit të brendshëm për popullin maqedonas.

“Kur gati shtatë dekada do të ju mbillet në kokë se duhet të ruheni prej fqinjit që nuk është si ju, normal që ndër gjenerata ka mbet që buron nga aty ajo frikë. Neve nuk na është instaluar sepse nuk kemi pasur problem me gjuhën tonë dhe identitetin tonë. Populli maqedonas i rrethuar me gjithë problemet e veta gjithnjë ka pasur nevojë të jetë i frikësuar se mos vallë që fqinjtë bëjnë diçka”, tha Xhaferi.

Ai po ashtu foli lidhur me krahasimet e Kosovës dhe Maqedonisë lidhur me përdorimin e gjuhëve për pakicat.

“Nuk mendoj që është një paralele që mund të ngritet. Unë mendoj që  nga ajo frymë që ka dalë nga Marrëveshja e Ohrit, ndoshta si burim ka qenë ajo që ka qenë pastaj përcaktimi përfundimtar i Dokumentit të Ahtisarit. Si Kosova si ne andej gjatë kohë kemi qenë me një pushtet të një mendësie”, tha Xhaferi.

Në këtë intervistë, Xhaferi flet edhe për marrëdhëniet tij me Nikolla Gruevskin dhe tensionet ndëretnike në Maqedoni.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: