Talat Xhaferi për Ali Ahmetin: Unë jam violina, ai është dirigjenti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka folur për fuqinë e bashkëpartiakut të tij nga BDI-ja, Ali Ahmeti, dhe pse ky i fundit nuk merr poste të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut.

Xhaferi në “Kallxo Përnime” ka arsyetuar mendimin e tij që përse Ahmeti nuk duhet të jetë në garë për funksionin si “kryetar i shtetit”.

“Ali Ahmeti nuk është ai që duhet të jetë në garë për funksionin kryetar shteti. Ali Ahmeti është misionari i cili bart misionin që sa kohë në vend dhe misionarët janë në prapavijë gjithnjë. Unë jam misionar, por jam bartës i atij misioni në ekzekutiv”- tha Xhaferi.

“Ali Ahmeti ka punët e veta, tamam i bën mirë është me i bë. Ai i bën punët më të mëdha që bëhen programore të subjektit politik që përafqëson, do të thotë realizimin e programit në kuptimin e ndarjes dhe shpërndarjes së obligimeve në bartësit e funksioneve”- theksoi ai.

Xhaferi shpjegoi se Ahmeti nuk është pjesë e ekzekutimit të pushtetit por, dirigjent i pushtetit, duke thënë se: “Unë jam violina e ai dirigjenti”.

“Ali Ahmeti nuk është pjesë e ekzekutimit të pushtetit por dirigjent i pushtetit. Dirigjenti nuk i bie violinës. Unë jam violina dhe ai dirigjenti. Ai është përpara kudo, është deputet”- u shpreh Xhaferi.

Më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që mban këtë post në këtë shtet.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 08.05.2024.