Xhaferi në samitin në Tiranë: Plani i rritjes së BE-së nuk e përjashton Kosovën edhe pse është nën masa
Plani i rritjes së Bashkimit Evropian nuk e përjashton asnjë vend të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën e cila gjendet nën masat e BE-së. Kështu ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, më 29.02.2024.
“Vetë nocioni i Ballkanit Perëndimor përfshin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, kështu që nuk mund të ketë aspekte përjashtuese”- tha ai.
Xhaferi shtoi se mospajtimet mes Kosovës dhe Serbisë mund të shkaktojnë pengesa në integrimin dhe përfitimin nga ndihmat e BE-së.
“Sigurisht se mospajtimet politike rezultojnë edhe me pengesa të tjera. Ideja është që të lihen anash mospajtimet politike, aspekti i ekonomisë të çlirohet nga ndikimet politike që të mund të jetë në dobi të qytetarëve”, deklaroi ai.
Ndër të tjerash, Xhaferi tha që nuk ka marrë ftesë për vizitë zyrtare në Kosovë, për shkak se sipas tij “nuk është çështje ftese, është çështje agjendash që kemi. Dihet,ne jemi në parazgjedhje”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është i pranishëm në këtë Samit. Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ai po qëndron në vizitë zyrtare jashtë shtetit, dhe se në Samit do të flas përmes një video-lidhjeje.
Më 08.11.2023, Komisioni Evropian miratoi një Plan të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me synimin për të sjellë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së, si në aspektin e reformave strukturore por edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik.
BE synon që Plani i Rritjes të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda 10 viteve të ardhshme. Për të mbështetur këtë proces, një instrument i ri financiar prej 6 miliardë eurosh, është propozuar për periudhën 2024-2027, i përbërë nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi të favorshme me pagesë të kushtëzuar që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin reforma specifike socio-ekonomike dhe themelore.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës në Tiranë ka thënë se për herë të parë të gjithë në Ballkanin Perëndimor pajtohen se Bashkimi Evropian nuk po e bënë vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej për ta mbështetur rritjen ekonomike me një plan të ri të rritjes, i cili sipas tij, taktikisht është një nismë e konceptuar jashtë kornize.
Rama tha se kjo është rezultat i dialogut, i nxitjes nga ana e tyre për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar sa u takon vështirësive, argumenteve dhe ideve.
“Plani i ri i rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE. Është një instrument që do ta bëjë këtë proces të prekshëm për njerëzit”- ka thënë ai.
Sipas tij, plani i rritjes do të lejojë që këtë kosto ta çojnë në të njëjtin nivel me shtetet anëtarë të BE-së.
Rama tha që do të kursejnë gjysmë miliardi euro dhe kjo është vetëm një prej këtyre gjërave që jep mundësinë që të kemi kushte dhe procese që janë krejt të njëjta me ato të shteteve anëtare.
“Janë gjepura ato thashethemet për Ballkanin e Hapur. Çështjet politike mes shteteve dhe nuk do të pranohen si arsye nga Bashkimi Evropian për të penguar lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit e mallrave”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi tha se plani i ri i rritjes nuk ka qenë vetëm ide e Komisionit Evropian por i gjithë rajonit.
Varhelyi ka deklaruar gjatë Samitit mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që po mbahet në Tiranë të enjten, se plani i rritjes ekonomike synon që të dyfishojë ekonomitë e vendeve të rajonit në 10 vjetët e ardhshme.
Ai i bëri thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor se nëse duan të përfitojnë nga ky plan do të duhet të aplikojnë dhe të pranojnë rregullat e Bashkimit Evropian.
“Prandaj ne po ndajmë ndihma financiare që ta zbusim koston dhe për këtë arsye udhëheqësit e Këshillit të BE-së kanë vendosur që ne jemi të mendimit që 6 miliardë euro të ndahen për rajonin. Kjo është sasia e fondeve u jepet vendeve anëtare. Kështu deri në 2027 rajoni do të realizojë të njëjtin nivel ndihme”, ka thënë Varhelyi gjatë qëndrimit të Tiranë.
Fokusi i këti samiti është integrimi i Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Europian; Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal; Përshpejtimi i reformave themelore; Rritja e ndihmës financiare.
Në Tiranë, më 28.02.2024, janë zhvilluar punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” me pjesëmarrjen e liderëve nga Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor.