Rrëfimi i Talat Xhaferit për rastin ‘Kumanova’
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka theksuar se tani nuk mund të kërkohet hetim ndërkombëtar për rastin “Kumanova”.
Xhaferi u sfidua nga Jeta Xharra edhe nëse do të marrë ndonjë hap për të dënuarit në rastin “Kumanovës”, të cilëve u janë shqiptuar mbi 700 vjet burg.
Për këtë rast kryeministri Xhaferi u shpreh se hetimi ndërkombëtar do duhet të kërkohej në fazën fillestare.
“Në këtë fazë nuk mund të kërkojmë hetim ndërkombëtar. Është dashur të bëhej në fazën fillestare. Janë bërë shumë përpjekje edhe për parandalim, edhe para se të ndodhin, nuk janë pranuar këto përpjekje. Për vendimet që janë marrë njëanshëm nuk ka pasur mundësi të parandalohen”- tha Xhaferi.
Xhaferi tha ky rast nuk do duhej të ndodhte, duke shtuar se personalisht ka pasur komunikim edhe pas rastit me pjesëtarë të familjeve.
“Çështja e shqetësimit është si e shpreh shqetësimin, nuk mund të thuhet që nuk jemi sepse jemi për faktin që nuk është dashtë të ndodhë, janë bërë të gjitha përpjekjet për me u parandalu një ndodhi e tillë, normal që kemi shqetësim. Personalisht kam pasur komunikim edhe pas rastit me pjesëtarë të familjeve”- ka rrëfyer ai.
Sipas Xhaferit, ajo që duhet të bëhet është një marrëveshje bilaterale për njohje të vendimeve që së paku të burgosurit të mund të vazhdojnë dënimin në Kosovë.
“Çfarëdo vlerësimi të jap është ndërhyrje në gjyqësor. Ajo që duhet të bëhet është një marrëveshje bilaterale për njohje të vendimeve që së paku të mund të vazhdojnë dënimin në Kosovë. Nuk mundem si kryeministër, duhet ministritë përkatëse që të iniciojnë. Publikisht e kemi thënë që të iniciohet. Familjet duhet të kërkojnë nga Kosova dhe me u ulë me bisedu për formën e njohjes që të ratifikohet nga dy parlamentet”- është shprehur Xhaferi.
Më 9 dhe 10.05.2015 në Lagjen e Trimave të Kumanovës një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Nga të shtënat jetën e humbën tetë policë të njësiteve speciale dhe të veçanta të MPB-së, ndërsa katërmbëdhjetë u lënduan rëndë. U vranë edhe dhjetë persona të grupit të armatosur.
Të burgosurit u dënuan nga një gjykatë në Shkup me 746 vjet burg.
Në anën tjetër, më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë në këtë post në këtë shtet.