Operacioni i FSK-së në ish-fabrikën në Mitrovicë, Foto: Kallxo.com

VIDEO - Operacioni i FSK-së ndaj grupit kriminal në Mitrovicë (Ushtrim)

Në ditën e pestë të ushtrimit fushor “Shqiponja 6”, FSK ka dëshmuar aftësitë reaguese ndaj pjesëtarëve të një grupi të simuluar kriminal, të quajtur  “Pandora”, të cilët sipas skenarit të ushtrimit janë lokalizuar në një ish-fabrikë në Mitrovicë. Personat që luajnë rolin e anëtarëve të grupit kriminal janë pjesëtarë rezervë të FSK-së.

Sipas ushtrimit është raportuar se në këtë ish-fabrikë gjenden 7 pjesëtarë të grupit ‘Pandora’, prej tyre ka edhe liderë të këtij grupi. FSK planifikon që të eliminojë udhëheqësin e grupit në mënyrë që ky grup të ketë vështirësi që të riorganizohet përsëri.

Gjatë këtij operacioni kompleks janë angazhuar togu për Reagim të Shpejtë, Njësia Speciale Operative e FSK-së, Policia Ushtarake e ShBA-së, Policia e Kosovës dhe paramedikët.

Sipas skenarit, njëri nga ushtarët është plagosur në këmbën e majtë.

Ky operacion është në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, në ditën e pestë të tij.

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqe. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Në ditën e tretë, në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’, janë simuluar situata ku është dyshuar se grupet kriminale mund të kenë vendosur mjete të helmuara në afërsi të liqenit të Batllavës. Po ashtu, pjesë e këtij ushtrimi kanë qenë edhe rastet kur grupet kriminale kanë tentuar të bllokojnë lëvizjet e trupave tona në zonën e operacionit duke vendosur barrikada në rrugë. Ka pasur edhe simulim të rasteve ku një familje ka pasur nevojë për ndihmë dhe evakuim nga thellësia e liqenit të Badovcit.

Në ditën e katërt, FSK ka dëshmuar aftësitë në ushtrimin për neutralizimin e minave dhe shpëtimin e një fëmije të mbytur në liqenin e Batllavës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Ky është episodi i pestë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.