Nga fushata e Levizjes Vetëvendosje - Foto: Facebook

Vetëvendosje i Propozon AAK-së e AKR-së Bashkëqeverisje në Kamenicë

Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe AKR janë afër finalizimit të një marrëveshjeje politike për bashkëqeverisje në Komunën e Kamenicës.

Njoftimin e ka bërë kandidati për kryetar të Komunës së Kamenicës nga radhët e VV-së, Qëndron Kastrati.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Kastrati  ka thënë se duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 22 tetorit dhe numrin e asamblistëve që u takojnë subjekteve politike, për formimin e shumicës në Kuvendin Komunal, duke mos mjaftuar numri i kandidatëve të zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me Kryesinë e Qendrës në Dardanë në koordinim me Kryesinë e nivelit qendror, kanë vendosur që AAK-së dhe AKR-së t’i propozojnë marrëveshje bashkëpunimi.

“Nga takimet që kemi pasur me përfaqësuesit e të dy subjekteve e kemi kuptuar që edhe ata janë të interesuar të bashkëpunojnë për ndryshim dhe besojmë që brenda pak ditësh do të formalizohet kjo marrëveshje”, ka shkruar Kastrati.

Qëndron Kastrati do të përballet më 19 nëntor në balotazh me kandidatin e LDK-së, Shaip Surdullin.

Sipas marrëveshjes, e cila pret vetëm nënshkrimet e drejtuesve të degëve të tri subjekteve në Kamenicë, VV do të udhëheqë me 60 për qind të drejtorive të Komunës, AAK me 30 për qind dhe AKR me 10 për qind.

Nënkryetari i Komunës do të jetë nga AAK, ndërsa kryesuesi i Kuvendit Komunal nga AKR.