
Kushtetuesja i jep të drejtë Qëndron Kastratit, kompetenca për vendimmarrjen për shkolla i takon komunave
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i shfuqizojë disa nene të Udhëzimit Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.
Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ, nivelit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit i ishte dhënë kompetencë për të ndërhyrë dhe vendosur lidhur me themelimin apo shuarjen e shkollave nëpër Komuna.
Kujtojmë, se ky Udhëzim Administrativ i Ministrisë kishte ardhur pas vendimeve për riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës në vitin 2019, riorganizim ky i cili ishte iniciuar përmes vendimeve përkatëse të ish-kryetarit të Komunës, Qëndron Kastrati, me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.
Sipas Kushtetueses, Udhëzimi i Ministrisë sa i përket kompetencës për vendimmarrje të plotë të pushtetit qendror për themelimin dhe shuarjen e institucioneve të nivelit para-universitar në komuna, cenon kompetencat vetantake të komunës.
“Duke zbatuar parimet e lartcekura në rrethanat e rastit konkret, përkatësisht vlerësimin kushtetues nëse Udhëzimi Administrativ i kontestuar cenon përgjegjësitë komunale, Gjykata, ndër tjerash, theksoi se kompetenca për vendimmarrje të plotë të pushtetit qendror për themelimin dhe shuarjen e institucioneve të nivelit para-universitar në komuna, që i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes neneve 3, 6, 7 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, cenon “kompetencat vetanake” të komunës”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese e ka theksuar se me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin për Arsimin në Komuna dhe Ligjin për Arsim Para universitar, vendimmarrja për themelimin e institucioneve të nivelit para universitar i takon komunave.
Ndërsa sa i përket kushteve për themelimin dhe propozimin e institucioneve edukativ-arsimor të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, të cilat sipas udhëzimit përcaktojnë kompetencën e Ministrisë për përcaktimin e këtyre kushteve qe duhet ti plotësojnë institucionet edukativ-arsimore, Kushtetuesja ka konstatuar se një gjë e tillë nuk i cenon kompetencat vetanake të komunës.
“…Ndërsa, sa i përket neneve 4 (Kushtet për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) dhe 5 (Propozimi për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, të cilat, ndër tjerash, përcaktojnë kompetencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë institucionet edukative-arsimore dhe paralelet e ndara, dhe dokumentacionit të nevojshëm përmes të cilit mund të vërtetohet plotësimi i të njëjtave, Gjykata vlerësoi se të njëjtat nuk cenojnë “kompetencat vetanake” komunale”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi Gjykatës Kushtetuese ka ardhur pasi që Komuna e Kamenicës, më saktësisht kryetari i komunës, në atë kohë Qëndron Kastrati me datën 17 tetor 2021, kishte parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.
Ndërsa, menjëherë pas zgjedhjeve komunale, në nëntor të vitit 2021 kur kryetar i Komunës së Kamenicës ishte zgjedhur Kadri Rahimaj, ai me 5 janar 2022 kishte bërë kërkesë në Gjykatë që të tërhiqej kërkesa paraprake e parashtruar nga ish-kryetari Qëndron Kastrarti.
Mirëpo kërkesën e Rahimajt, e ka refuzuar Gjykata duke marrë për bazë interesin publik, prandaj çështjen e ka trajtuar dhe ka vendosur që të aprovoj si të bazuar kërkesën e ish-kryetarit Qëndron Kastrati ku me ç ‘rast është marrë vendim që të shfuqizohen nenet të cilat cenojnë kompetencat vetanake të Komunave.
Vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund ta lexoni këtu.
Gjykata Supreme e “vulos” vendimin e Qëndron Kastratit për vazhdimin e reformës në arsim