Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kastrati publikon vendimin e Gjykatës Supreme për reformën në arsim, kërkon nga kryetari i Kamenicës ta zbatojë atë

Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur se vendimi i Gjykatës Supreme i ka dhënë të drejtë reformës në arsim të nisur nga ai në Kamenicë.

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga Komuna e Kamenicës, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit më 06.05.2022.

Në arsyetim të këtij vendimi tutje potencohet se me aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit është refuzuar si e pabazuar kërkesa e Komunës së Kamenicës, ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës së Prishtinës më 21.03.2022.

Lidhur me këtë vendim të Supremes, Kastrati ka thënë se shantazhi, kërcënimet e gjithë presioni i ushtruar mbi qytetarët e Kamenicës sfidoi një proces i cili ishte i domosdoshëm dhe i drejtë.

“Shantazhi, kërcënimet e gjithë presioni i ushtruar mbi qytetarët e Kamenicës sfidoi një proces i cili ishte i domosdoshëm dhe i drejtë. E prapëseprapë, vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme e dëshmon që reforma në arsim duhet të vazhdojë. Ministrja e Arsimit mund ta ketë edhe mbështetjen e mbretit por askush në Kosovë nuk eshte mbi ligjin dhe parimet e demokracisë”, ka shkruar Kastrati.

Tutje, ish-kryetari i Kamenicës theksoi se të vetmen iniciativë serioze për kualitet në arsim tentuan ta pengojnë.

Ai e ka ftuar kryetarin e Kamenicës që ta zbatojë vendimin, në të kundërtën ka paralajmëruar se do ta ndjekë penalisht.

“Këta flasin për PISA por të vetmen iniciativë serioze që adresonte problemin e kualitetit në arsim tentuan ta pengojnë me çdo kusht. E ftoj Kryetarin e Komunës së Kamenicës ta zbatojë vendimin. Në të kundërtën do të detyrohem ta ndjek penalisht”, shtoi Kastrati.

Apeli e kthen në rivendosje kërkesën e Qëndron Kastratit për pezullimin e vendimit të Rahimajt për shkollën në Busavatë