PSD ia përgatit 'dorëheqjen' Arbërie Nagavcit
Gjatë një aksioni simbolik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ish-kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati ia ka përgatitur letrën e dorëheqjes ministres Arbërie Nagavci.
Kastrati ka thënë se ministrja Nagavci ka shkelur tri dokumentet më kryesore të demokracisë në Kosovë.
“E kemi përgatitur letër dorëheqjen e ministres Nagavci, ju e dini se ajo i ka shkelur tri dokumentet më kryesore për demokracinë në Kosovë. E para e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, e dyta e ka shkelur kartën evropiane për qeverisje lokale dhe e treta; ka shkelur ligjin për qeverisje lokale”, ka thënë Kastrati.
Kasatrati deklaroi se ministra Nagavci ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në punën e komunës.
“Me këtë, Nagavci ka arrite me shtrembëru vullnetin e qytetarëve të komunës dhe ka ndërhyrë drejtpërdrejtë në punën e komunës”, tha Kastrati.
Kastrati shtoi se ministrja Nagavci duhet të jap dorëheqje për shkak se sipas tij, ministrja ka keqpërdorur pozitën e saj.
“Në Kosovë është ndërtuar një precedent kur shkelet Kushtetuta, të gjithë kanë reflektuar, ka raste edhe moralishtm ka raste edhe drejtësi të drejtpërdrejtë. Zonja Nagavci duhet me u shkarku ose dhënë dorëheqje, sepse ajo duke keqpërdorur pozitën e vet, ka tejkaluar kompetencat dhe ka dëmtuar dikë tjetër”, ka thënë Kastrati.
Ai gjithashtu tha se ministrja Nagavci nuk e ka zgjidhur problemin në Kamenicë, por sipas Kastratit, veç se ka bërë ndërhyrje elektorale në prag të zgjedhjeve.
Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.
Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore.