Kastrati: Krasniqi është person që ka përkrahje nga Hysen Durmishi

Qëndron Kastrati nga PSD-ja ka thënë se Nexhat Krasniqi, i cili ka hyrë në listën e zezë të SHBA-së, ka pasur mbështetjen e zëvendësministrit, Hysen Durmishi.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i ka ndarë detyrat.

“…..z. Aliu merret me planifikim dhe mjedis ndërsa z. Durmishi me infrastrukturë. Ka dalë edhe në publik dhe ka pas lajme që ka pas konflikt mes z. Aliut dhe z. Durmishit jo parimor por edhe në raport me z. Krasniqin se kush duhet me udhëheqë Zyrën e Prokurimit në kuadër të ministrisë dhe ajo çka dihet edhe në bazë të emërimit të pozitave brenda LVV-së, partia më shumë ka anuar kah z. Durmishi. Ky është fakt që Durimishi i ka dhënë përkrahje Krasniqit”- ka thënë Kastrati në ”Kallxo Përnime”.

Sipas tij për këtë Qeveria ka përgjegjësi.

“Qasja e qeverisë është më shumë se sa je lojal ndaj meje si udhëheqës ose ndaj partisë sesa a përnjëmend ke dëshirë me kontribu në zhvillimin e shoqërisë, projekteve, etj. Është një rast konkret që mendoj që e shpërfaq konkretisht z. Durmishi por edhe Qeveria në përgjithësi që ka marr persona që dihet që nëse je në mbështetje dhe lojal ndaj liderit qoftë ndaj partisë nuk ka rëndësi çka ke bo më herët” – ka thënë Kastrati.

Ndryshe më datën 3 të këtij muaji, Nexhat Krasniqi, shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, ka hyrë në listën e të sanksionuarve të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu ndaluar hyrja atij dhe dy fëmijëve të tij.

Nexhat Krasniqi me vendim të Departamentit Amerikan të Shtetit është sanksionuar si i “papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”, ndërlidhur me rastin e Parkut Industrial në Drenas.

Një ndër kontratat e fundit të Ministrisë së Infrastrukturës që është nënshkruar nga i sanksionuari i SHBA-së, Nexhat Krasniqi