Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: Ministria e Arsimit konsideron që vendimi i Kushtetueses përbën një vlerësim të kufizuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është deklaruar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për organizmin e mësimit alternativ të nxënësve në Komunën e Kamenicës.

Nagavci ka konsideruar se “situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MAShTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë”.

Ndonëse ministrja ka thënë se MAShTI-i konsideron që vendimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të juridiksionit të saj) të gjendjes së krijuar dhe ajo ka shtuar se respekton këtë vendim në plotni.

“Rrjedhimisht, vlerësojmë se Aktgjykimi është i kufizuar vetëm në vlerësimin e përputhshmërisë formale të Vendimit të kontestuar, e jo aspekteve përmbajtjesore të ndërlidhura me të drejtën e fëmijëve në arsim sa i përket ofrimit të detyrueshëm të shkollimit fillor për secilin nxënës në mënyrë të barabartë”, ka thënë Nagavci.

Tutje, ministrja Nagavci ka thënë se vendimi 01B/24 nga MAShTI-i, ishte ndërmarrë me qëllim të përmbushjes së obligimeve pozitive të shtetit të Kosovës sa i përket të drejtave të fëmijëve në Komunën e Kamenicës, në raport me ofrimin e shërbimit të mësimit fillor për nxënësit që kishin mbetur për më shumë se dy vite pa mundësinë e ndjekjes së shkollimit publik.

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Dje, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një aksioni simbolik i ka përgatitur letrën e dorëheqjes ministres Arbërie Nagavci.

Kastrati ka thënë se ministrja Nagavci ka shkelur tri dokumentet më kryesore të demokracisë në Kosovë.

“E kemi përgatitur letër dorëheqjen e ministres Nagavci, ju e dini se ajo i ka shkelur tri dokumentet më kryesore për demokracinë në Kosovë. E para e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, e dyta e ka shkelur kartën evropiane për qeverisje lokale dhe e treta; ka shkelur ligjin për qeverisje lokale”, ka thënë Kastrati.

PSD ia përgatit ‘dorëheqjen’ Arbërie Nagavcit