Kastrati: Protesta ishte aksion simbolik, Policia të lirojë aktivistët e PSD-së

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Qëndron Kastrati është deklaruar para mediave në lidhje me kundërshtimin e vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, që u shoqërua me një protestë me mjete tymuese.

Kastrati tha se si PSD kanë bërë një protestë që të sensibilizojnë opinionin në lidhje me Gjykatën Speciale, që sipas tij “ka një qëllim politik e ajo është me e paraqitë UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Sot ne si PSD kemi bo një protestë për me e sensibilizu opinionin dhe me i ritheksu se çka është qëllimi i Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale ka një qëllim politike e ajo është me e paraqitë UÇK-në si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ne edhe si herët e tjera kemi dashtë me tregu se kushdo që vjen nga kjo gjykatë nuk është i mirëpritur në Kosovë”- tha Kastrati.

“Këtu shoqëria e ka të qartë që kjo ka qëllim politik sepse nuk mundet me qenë gjykatë e drejtë ajo që gjykon vetëm njërën palë, njërën etni e në këtë rast UÇK-në”- u shpreh ai.

Sipas Kastratitit, Policia e Kosovës ka përdorur “një dhunë jo proporcionale”, teksa kërkoi lirimin e gjashtë pjesëtarëve të PSD-së, përfshirë edhe kryetarin Dardan Molliqaj, të cilët u arrestuan pak minuta më parë.

“Për fat të keq Policia e Kosovës dhe institucionet kanë përdorë një dhunë jo proporcionale, një aksion simbolik kanë fillu me Njësi më elite të Policisë duke përdorë gaz lotsjellës dhe sprej, madje prej unë qysh e pashë, spreji pat qëllim me qenë edhe kah mediat që me kriju frikësim dhe disiplinim tek ata që munden me kundërshtu Gjykatën Speciale”- ka deklaruar Kastrati.

Zyrtari i PSD-së ka bërë thirrje për lirimin e bashkëpartiakëve të tij.

“Ne nuk kemi me u ndalë, kemi me vazhdu edhe me aksione aktivitete të tjera, na kërkojmë që me na u liru krejtë aktivistët e arrestuar, janë gjashtë sa e dijmë deri tash. I ftojmë policinë që t’i lirojnë ata menjëherë sepse ky ak qenë një aksion pa qëllim me e dëmtu dikënd por aksion me tregu se këtu ka paknaqësi ndaj Gjykatës Speciale”- shtoi nënkryetari i PSD-së.

Përkundër faktit se u përcoll me protestë me mjete tymuese e arrestime të aktivistëve të PSD-së, takimi i paraparë mes kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova dhe shoqërisë civile ka filluar.

Lidhur me këtë u deklarua edhe vetë Trendafilova gjatë takimit.

“Nuk jam këtu për çështje politike ose për të diskutuar për to…kam zero informacion në lidhje me çështjet politike” – u shpreh Trendafilova.

“Nuk e di dhe nuk po kuptoj pse po ndodhe kjo” – u shpreh tutje kryetarja e Speciales.

Gjatë protestës në Prishtinë u lëndua edhe një gazetar.