Vetëvendosja Rikthen Përmbysjen e Kamionëve

Në një komunikatë të këtij subjekti politik thuhet se aksioni i përmbysjes së kamionit u ndërmor, pasi librat kosovare të destinuara për fëmijët shqiptarë të Preshevës Medvegjës e Bujanovcit, u rikthyen në Kosovë, pasi qëndruan më shumë se 6 muaj në një terminal doganor në Serbi.

“Sot aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e përmbysën një kamion me produkte të Serbisë që shiten në Kosovë. Ky aksion është përgjigje ndaj aktit kriminal të Republikës së Serbisë, e cila dje i ktheu pas mbi 103.000 libra shqip, duke lënë pa shkollë nxënësit shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit,” thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes”.

Librat u kthyen në Kosovë të martën, ndërsa këtë kthim “Vetëvendosja” e dënoi në një konferencë për gazetarë të mërkurën.

http://kallxo.com/serbia-kthen-ne-kosove-tekstet-shkollore-ne-gjuhen-shqipe/

“Vetëvendosja” thotë se ndërmori këtë veprim pasi qeveria nuk po mundet të vendosë reciprocitet me Serbinë.

“Jo vetëm që nuk po mundet Qeveria e Kosovës të vendosë regjim reciprociteti tregtar me Serbinë, duke kontrolluar kufijtë e vet, por as nuk po mundet të kujdeset për fëmijët shqiptarë në Serbi, të cilëve nuk ka mbërritur t’ju sigurojë as librat shkollorë, edhe pse ka negociuar dhe vazhdon të negociojë me Qeverinë e Serbisë për vite me radhë,” vijon komunikata.

Përmbysjen kamionit e konfirmoi për KALLXO.com edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.

“Po, ka ndodhur në fshatin Lupç, magjistralja Prishtinë-Podujevë,” tha shkurt Kelani.

Në vitin 2012 “Vetëvendosja” kreu disa përmbysje të tilla të kamionëve si sot, duke u përpjekur që të pengojë hyrjen e mallrave të Serbisë në Kosovë.

Kjo lëvizje zhvilloi atëherë edhe protesta në pikat kufitare Merdar e “Dheu i Bardhë”, duke ndaluar kamionët që hynin në vend. [interaction id=”56d8a36c4ab46a01036e0311″]