Veseli për kufijtë: Nuk kemi çka japim, nuk duam të marrim

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova nuk ka çfarë të jap e as nuk do marrë tokë nga askush.

“Kosova nuk ka çfarë të jap, Kosova nuk dëshiron as të marr diçka nga të tjerët. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka territorin e vet, Kosova do angazhohet fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve kudo që janë në botë, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha ai pas takimit që kishte me kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha.

Ai shtoi se duhet një grup uniteti, me vetëm një qëllim; Kosova pjesë e OKB-së, NATO-s dhe BE-së.

“Të fillohet platforma nacionale sa më shpejt e ballafaqimit final të Kosovës me shtetin serb e cila ka vetëm një rezultat, Kosova në OKB. Ne shkojmë vetëm me një qëndrim shumë të qartë nacional, që është vullnet i qytetarëve tanë, është vullnet i sakrificave të qytetarëve tanë, Kosova në OKB, Kosova të ecë në rrugëtimin e vet drejt BE-së, NATO-s”, tha Veseli.

Sipas Veselit, e ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës është në BE dhe qetësia në Ballkan.

Edhe Kryetari i PD-së e vlerësoi të rrezikshme idenë e ndryshimit të kufijve.

“Është në vetvete e rrezikshme, për stabilitetin e rajonit të rihapen këto kapituj të mbyllur me sukses, përmes një investimi të përbashkët nga qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe aleatëve tanë strategjik SHBA dhe BE, sikundër që është e një rëndësi themelore që forcat themelore politike në Kosovë të bashkëpunojnë ngushtësisht për të zmbrapsur çdo lloj ofensive ndaj kësaj arritje jo vetëm për Kosovën por edhe paqen në Ballkan dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Basha tha se duhet bashkimi i gjithë liderëve të Kosovës, madje edhe e të gjithë liderëve shqiptarëve anekënd.

Basha po ashtu i dha mbështetje Veselit për unitetin nacional.