Foto: Kallxo.com

Veseli, Mustafa e Ymeri, Kokë më Kokë te Johannes Hahn

Komisionieri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka arritur ta bëjë atë që Atifete Jahjaga nuk kishte mundur ta bënte në muajt e fundit të mandatit të saj si Presidente.

Lideri i PDK-së Kadri Veseli, ai i LDK-së Isa Mustafa, i Vetëvendosjes Visar Ymeri, i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesi i NISMA-s Jakup Krasniqi, janë ulur rreth të njëjtës tavolinë për të diskutuar për rrugën e Kosovës drejt BE-së në kuadër të vizitës që Hahn po e zhvillon në Kosovë.

Pjesë e këtij takimi është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Vendi i takimit gjithashtu është simbolik. Liderët po takohen në katin e katërt të Kuvendit, në sallën alternative ku deputetët e koalicionit qeveritar i mbanin seancat e Kuvendit saherë që salla kryesore e seancave mbushej me gaz lotsjellës.