Foto: Federata Shqiptare e Futbollit

Federata e Futbollit të Shqipërisë së bashku me atë të Serbisë kanë aplikuar për organizimin e kampionatit europian për U21

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se i ka dërguar kërkesë shtëpisë së futbollit evropian, UEFA që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të Kampionatit Europian 2027 për grupmoshën U-21.

Përmes një komunikate pwr media, FShF bën të ditur se do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit, për shkak të numrit të stadiumeve që kërkohen për t’i pritur finalet e këtij Kampionati.

“Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21” – thuhet në komunikatën e FShF-së, më 09.05.2024.

Edhe presidenti i FShF-së, Armando Duka në një prononcim për autorin e emisionit ‘Opinion’, Blendi Fevziu ka deklaruar se Shqipëria është vend kandidat për organizimin e Kampionatit Evropian për grupmoshën U-21.

“Ne jemi vend kandidat për organizimin e Kampionatit Evropian në 21-vjeçar duke qenë që ne nuk mund të plotësojmë kushtet që të kemi një Kampionat Evropian vetëm në Shqipëri, duhen tetë stadiume minimalisht, kemi bashkuar me Serbinë për të organizuar Kampionatin Evropian në Shqipëri dhe në Serbi” – ka deklaruar Duka.

Duka ka përmendur se organizimit të këtij Kampionati i duhet angazhim i madh jo vetëm në mes Federatave të futbollit të dy vendeve, po ashtu edhe në mes Qeverive përkatëse.

Sa i përket bashkëpunimit me Federatën Serbe të Futbollit, Duka vlerëson se është një lajm i mirë për popujt e dy vendeve.

“Duhet të krijojmë disa komunikme, disa lehtësira dhe të bëjmë të mundur këtë. E para është që ta fitojmë këtë garë dhe e dyta pastaj ta organizojmë. Unë mendoj se ky është një lajm i mirë për popullin shqiptar, për popullin serb në fund të fundit ne organizojmë dhe nëpërmjet sportit, pse jo të kemi një jetë edhe më të mirë” – ka thënë Duka.

Nga FShF vlerësojnë se ky është pa asnjë dyshim një projekt shumë ambicioz, që do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit.

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi finalen e parë të UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022 dhe ka fituar të drejtën për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.