Veseli: Është Koha për Punë Konkrete

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka përsëritur edhe një herë se ka mungesë të vendimmarrjes në Kosovë.

“Është evidente mungesa e vendim-marrjes. Liberalizimi i vizave është bllokuar, ndërsa punësimi vazhdon të jetë problemi kryesor në vend. Sot, vazhdojmë të jemi shteti i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave”, shkroi Veseli.

Sot Veseli u takua me Kryeministrin Mustafa në ndërtesën e Kuvendit, ndërsa në këtë takim mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Për shkak të këtij takimi Mustafa nuk u paraqit në mbledhjen e qeverisë në të cilën planifikonte që marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi t’ia dërgonte për ratifikim Kuvendit.

Në mbledhjen e qeverisë që nuk u mbajt të pranishëm nuk  ishin ministrat nga PDK-ja.

Më tutje në postimin e tij, kreu i kësaj partie dhe Kuvendit Kadri Veseli tha se më nuk mund të arsyetohemi se jemi shtet i ri, por të punojmë konkretisht.

“Kosova është në prag të 18 vjetorit të çlirimit dhe ende pa i mbushur 10 vjet pavarësi, është në rrugë të drejtë, por ende larg asaj që meriton dhe ka mundësi. Nuk mund të arsyetohemi më tutje se jemi ende të rinj si shtet. Ka kaluar koha e frazave dhe deklaratave që tingëllojnë bukur. Është koha për punë konkrete”, ka shkruar Veseli.

Partia që tash drejtohet nga Veseli ishte në pushtet që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa edhe në tre vjetët e fundit është pjesë e koalicionit qeverisës.

Veseli u zotua se do të punojë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Duhet t’i japim fund stagnimit, e po ashtu edhe izolimit. Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës, si kryetar i partisë më të madhe në vend, se Kosova do të ketë një të ardhme të mirë, se vendimet do të merren vetëm për qytetarët dhe për ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së tyre”, shkroi Veseli.

Ai edhe tri ditë më parë kishte thënë se gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme.

http://kallxo.com/veseli-gjendja-nuk-eshte-e-kenaqshme/