Trajneri i Llapit i kënaqur me fitoren, i brengosur nga lëndimet e lojtarëve
Trajneri i Llapit, Bekim Shotani, ka folur pas triumfit të skuadrës së tij ndaj Ferizajt me rezultat 1-0.
Ai ka thënë se e ka ditur se ndeshja e sotme do të ishte e vështirë, pasi sipas tij çdo rezultat tjetër përpos fitores do të ishte i pafavorshëm sot.
“E kemi ditur se do të jetë ndeshje e vështirë për ne, sepse Ferizaj ka treguar lojëra të mira në javët e kaluara. Ne duhet të mobilizohemi më shumë, sidomos para portës rivale, të shënojmë më tepër, sepse mund të ndëshkohemi. Për ne, çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i pafavorshëm”, ka thënë Shotani për Super Sport Kosova.
Shotani është shprehur i brengosur për lëndimet e futbollistëve të tij, pasi nga 24 futbollistë sa i ka Llapi, 14 prej tyre janë të lënduar.
“Nga 24 futbollistë që i kemi, 14 janë me lëndime, disa edhe serioze. Megjithatë, në tri ndeshjet e fundit e kemi orarin më të mirë se skuadrat e kreut të renditjes dhe besoj se mund të përfitojmë nga ky fakt”, ka thënë Bekim Shotani.
Llapi pas 14 xhirove pozicionohet në vendin e tretë me 26 pikë.