Sermaxhaj e Shotani tregojnë cilat janë ndeshjet 'e nxehta' të xhiros së ardhshme të Superligës

Xhiroja e 26-të në Superligën e Kosovës në futboll do të luhet të mërkurën dhe të enjten.

Ndeshja kryesore e kësaj xhiroje do të jetë ajo ndërmjet Llapit dhe Prishtinës, kurse Drita pritet të ketë punë të lehtë pasi e viziton Vushtrrinë. Po ashtu, edhe Gjilani pritet të shënojë fitore pasi përballet me skuadrën e fundit në tabelë – Dukagjinin.

Ballkani do të luajë si mysafir ndaj Ferizajt, të enjten. Të dy skuadrat e kanë të domosdoshme fitoren, por për synime të kundërta.

Lidere e Superligës pas 25 xhirove është Drita me 52 pikë, e ndjekur nga Prishtina me dy pikë më pak dhe nga Ballkani që pozicionohet në vendin e tretë me 49 pikë. Katërshen e mbyll Gjilani me 48 pikë.

Analistët e futbollit, Genc Sermaxhaj dhe Bekim Shotani, kanë treguar për KALLXO.com se si pritet të rrjedhë xhiroja e 26-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Sermaxhaj thotë se skuadra si Drita, Gjilani dhe Ballkani, pritet të kenë punë më të lehtë ndaj kundërshtarëve të tyre, kurse Prishtina më vështirë.

“Drita, Gjilani dhe Ballkani e kanë pak më të lehtë me kundërshtarët e tyre, kurse Prishtina pritet të ketë pak më të vështirë. Në fakt të lehtë në shikim të parë, por loja sjell gjëra të paparashikuara dhe ndeshja mund të humbet nëse qasja nuk është serioze”, vlerëson Sermaxhaj.

“Deri më tani ekipet e kreut kanë pasur përballje të cilat i kanë kaluar me sukses, përveç Ballkanit dhe Gjilanit që nuk kanë marrë pikë të plotë. Ndërsa Prishtina dhe Drita me sukses kanë arritur t’i marrin pikët maksimale ndaj kundërshtarëve të tyre. Forcën e ekipeve të kreut do ta shohim në përballjet direkt dhe aty shihet përgatitja dhe niveli i tyre”, analizon ish-futbollisti i Prishtinës.

I pyetur se a mund të llogaritet Prishtina si skuadër favorite ndaj Llapit, Sermaxhaj thotë se skuadra e drejtuar nga Armend Dallku duhet të fitojë në këtë ndeshje në mënyrë që ta mbajë hapin për titullin e kampionit.

“Prishtina është më favorite, ngase duhet të fitojë që ta ndjekë Dritën. Llapi pa motiv, pa ambicie. E vetmja dëshirë për fitore e Llapit mund të jetë që ta mposhtë Prishtinën në fushën e vet në mënyrë që mos ta rrezikojë rënien nga elita”, përfundon Genc Sermaxhaj.

Genc Sermaxhaj analist i futbollit

Kurse, analisti dhe ish-trajneri i futbollit, Bekim Shotani, thotë se Prishtina duhet t’i tregojë vlerat e një ekipi që dëshiron titullin e kampionit duke e mposhtur Llapin, në të kundërtën do të rrezikonte shumë.

“Kemi një xhiro ku ekipi, i cili është në formën më të mirë pas pandemisë – Prishtina do të ketë ballafaqim serioz me Llapin. Prishtina do të vërtetojë në këtë ndeshje vlerat e një ekipi që dëshiron titullin, në të kundërtën do të rrezikonte atë”, ka vlerësuar Shotani për ndeshjen Llapi – Prishtina.

Shotani thotë se Ballkani, Gjilani dhe Drita kërkojnë fitore ndaj skuadrave që gjenden në fundin e tabelës.

“Ballkani, Gjilani dhe Drita do të tentojnë të mos gabojnë edhe pse skuadrat në fund të tabelës po tregojnë futboll cilësor dhe lojtarët janë të motivuar t’i tregojnë cilësitë individuale që ta joshin ndonjë ekip”, thotë Shotani për KALLXO.com.

Ish-trajneri i Llapit ka thënë se Drenica do të jetë në pozitë të vështirë ndaj Feronikelit që kërkon të dalë në garat europiane përmes vendit të dytë që mbetet synimi kryesor i kampionëve aktualë në Superligë.

“Drenica do të jetë në siklet në ndeshjen ndaj Feronikelit, pas asaj disfate në Skenderaj. Do të kërkojë rezultat pozitiv edhe pse do ta ketë vështirë karshi Feronikelit që tani ëndërron vendin e dytë në tabelë. Nëse gabon Feronikeli e humb shpresën për pozitën e dytë që e dërgon në garat europiane”, ka analizuar ish-trajneri i disa skuadrave kosovare.

Bekim Shotani analist i futbollit

Trepça ’89 do të ketë jetike këtë ndeshje ndaj Flamurtarit, thotë Bekim Shotani. Ai shton se vetëm fitorja i shpëton mitrovicasit nga rënia nga liga.

“Derbi do të jetë në Mitrovicë për ekipet që rrezikojnë rënien nga liga Trepça ’89 ndaj Flamurtarit. Nëse del me rezultat poztiv Trepça ’89 ndaj Flamurtarit, në xhiron e 27-të i shkon Drenicës, pra këto dy ndeshje janë vendimtare për mitrovicasit, kurse Flamurtari do të jetë i motivuar nga dy ndeshjet e fundit dhe do të tentojë një barazim. Trepçën ’89 vetëm fitorja e largon nga fundosja në tabelë”, thotë Bekim Shotani.