Sami Lushtaku e Hashim Thaçi - Foto: Facebook/SamiLushtaku

Thaçi: Sami Lushtaku po intervistohet padrejtësisht

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar intervistimin e ish komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku, nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë.

Thaçi në postimin e tij në Facebook ka përmendur civilët e pafajshëm të cilët sipas tij u masakruan nga forcat serbe, me krimet e të cilëve nuk është marrë drejtësia ndërkombëtare.

“Në fshatrat Likoshan e Çirez të Drenicës, më 28 shkurt 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 24 civilë të pafajshëm. Në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 56 anëtarë të familjes Jashari. Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme të Drenicës, forcat serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu. Më 28 mars 1999, forcat serbe në fshatin Izbicë vranë dhe masakruan mizorisht 147 shqiptarë të pafajshëm. Më 5 prill 1999, në fshatin Rezallë, ushtria dhe policia serbe vranë 98 civilë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur. Po në muajin prill të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan edhe 54 civilë në Poklek të Ri dhe 24 civilë të tjerë në Çikatovë të Vjetër. Forcat policore dhe ushtarake serbe vranë dhe masakruan edhe qindra civilë të tjerë të pafajshëm anekënd Drenicës dhe Kosovës, por drejtësia ndërkombëtare as që ka nisur të merret me këto krime”, ka shkruar Thaci në facebook.

Ai në postimin e tij ka shtuar se Lushtaku po intervistohet sot padrejtësisht në Hagë, ndërsa kriminelët serbë vazhdojnë të shëtisin lirshëm në Serbi dhe botë.

“Ndaj çlirimtarëve tanë, në emër të drejtësisë ndërkombëtare po bëhet padrejtësia më e madhe”, ka përfunduar Thaçi.