Nga një takim i Thaçit me Metën

Thaçi i Ofron Shqipërisë Ndihmë nga FSK-ja

Presidenti Hashim Thaçi tregoi sot në Facebook se bisedoi me homologun e tij shqiptar Ilir Meta për përmbytjet me të cilat po përballet Shqipëria.

“Sapo bisedova me presidentin Ilir Meta për gjendjen e vështirësuar nga përmbytjet në Shqipëri”, tregoi Thaçi.

Thaçi bëri të ditur se i ofroi Metës ndihmën nga FSK-ja.

“Në emër të institucioneve të Kosovës, shpreha gatishmërinë që ta dërgojmë Forcën e Sigurisë për t’i ndihmuar ekipet e tyre në menaxhimin e krizave dhe emergjencave civile”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se është i shqetësuar për vërshimet në Shqipëri.

“Jemi të shqetësuar për vëllezërit e motrat tona atje dhe urojmë që situata të mos përkeqësohet më shumë”, shkroi Thaçi.

Sot drejt Shqipërisë shkuan 34 pjesëtarë të zjarrfikjes dhe shpëtimit për të ofruar ndihmë atje.