Hashim Thaçi, President i Kosovës

Thaçi: Nuk do të ketë kufij entik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh kundër idesë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Ai në një konferencë në vizitën e Kazermës ‘Adem Jashari’, tha se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë megjithatë duhet të mbërrihet.

“As ne as aleatët tanë nuk e kanë bindur Serbinë që ta njoh Kosovën, pra synimi im është të arrihet një marrëveshje njëherë e përgjithmonë, pastaj ne në rrugën tonë, ata në rrugën e vet.

Ai tha se duhet të ruhet shpirti multietnik i vendit.

“Nuk do të kete kufijë etnik, në Kosovë do te ruhet shpirti dhe substanca multietnike. Po hapet frikë dhe panikë sikur kur është shpallur pavarësia, se familjet serbe po largohen nga Kosova, asnjë familje serbe nuk është larguar”, tha Thaçi.

Tani, presidenti po vazhdon vizitën e paralajmëruar në kazermën ‘Adem Jashari’, të Forcës së Sigurisë së Kosovës ndërsa më herët kishte vizituar Ujmanin në Mitrovicën e Veriut

Në anën tjetër në kryeqytet ka filluar protesta e thirrur nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Qëllimi i protestës sipas organizatorëve është shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Për ditë me radhë, LVV ka publikuar video promocionale dhe ka bërë tubime ku ftoi qytetarët dhe aktivistët në protestë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve që sipas tyre nënkupton edhe shkëmbim territoresh.

Autobusë falas për aktivistë dhe qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen protestës janë organizuar nga LVV me nisje nga secila komunë e Kosovës.

“Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.