Urimi i Thaçit | Foto: Facebook

Thaçi: Nëntori i Ka Dhënë Shpirt Historisë Sonë

Presidenti Hashim Thaçi uroi sot festat e nëntorit duke i konsideruar shumë të rëndësishme për shqiptarët.

“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor”, shkroi Thaçi në Facebook.

Duke uruar 105 vjetët e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së para 20 vjetëve, Thaçi shkroi se nëntori ka pasur ndikim edhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Ky muaj historik na ka dhënë gjithnjë guxim e forcë për ta shpallur edhe Republikën e Kosovës”, shkroi më tutje Thaçi.

Presidenti në postim nuk e harroi as agjendën europiane të Kosovës e Shqipërisë.

“Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, përfundoi Thaçi.