Presidenti Hashim Thaçi: Foto- Facebook

Thaçi me zyrtarin e Departamentit të Shtetit bisedon për marrëveshjen me Serbinë

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se gjatë një bisede telefonike me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, janë pajtuar për intensifikim të dialogut dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Njoftimin për zhvillimin e bisedës telefonike me Mitchell, Thaçi e ka bërë përmes profilit të tij zyrtar në ‘Facebook”.

“Ne u pajtuam për intensifikimin e dialogut dhe domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht obliguese me Serbinë. Dialogu dhe marrëveshja përfundimtare janë mënyrë e vetme për t’i hapur rrugë integrimeve euroatlantike për Kosovën dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi pas bisedës.

“Kosova, si gjithmonë, gëzon mbështetjen e palëkundur amerikane edhe në fazën e fundit përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por jo të pamundur për t’u përmbyllur me marrëveshje”, tha Thaçi.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së sotme në një konferencë ka kritikuar ashpër kryesimin e dialogut nga ana e Presidentit Thaçi.

Po ashtu ai ka paralajmëruar se LVV do të ngrij padi ndaj Thaçit për keqpërdorim të politikave të jashtme.

https://kallxo.com/vv-paralajmeron-padi-ndaj-hashim-thacit-per-keqperdorim-te-politikes-se-jashtme/