Të Hënën Shpallet Aktgjykimi ndaj Zyrtarit të Policisë

Në gjykimin e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Hamdi Tërpeza, i cili po akuzohet se e ka kërcënuar instruktorin e një auto-shkolle në lidhje me dhënien e provimit të patentë shoferit, është dhënë fjala përfundimtare.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur avokati Durim Osmani.

Mbrojtësi i Hamdi Tërpezës tha për KALLXO.com se për veprën penale e cila i vihet në barrë të mbrojturit të tij nuk ka asnjë provë materiale dhe aktakuza bazohet vetëm në dëshminë e instruktorit Kasim Hoxha dhe në disa foto të disa SMS-ve, të cilëve nuk u dihet data e as pranuesi dhe dërguesi i tyre.

“Nuk ka prova që e vërtetojnë përgjegjësinë penale. Komplet aktakuza bazohet vetëm në dëshminë e dëshmitarit – të dëmtuarit. Sa i përket kërcënimeve bazohet vetëm në një provë materiale, në një fotografim të disa mesazheve ku nuk shihet data e as kujt i janë dërguar dhe kush është pronari i atij numri të telefonit që e ka dërguar mesazhin”, tha për KALLXO.com avokati Osmani.

Avokati deklaroi se edhe nëse gjykata vendos që t’i marrë për bazë fotot e këtyre mesazheve atëherë i mbrojturi i tij do të mund të akuzohej vetëm për veprën penale të kanosjes për të cilën tha se tashmë është parashkruar lënda.

“Edhe nëse vërtetohet se ka pasur kërcënim, nëse gjykata ia fal besimin këtij mesazhi, atëherë mund të ketë vetëm vepër penale të kanosjes e cila është vepër tjetër penale dhe është parashkruar”.

Aktgjykimi do të shpallet më 12 shkurt.

http://kallxo.com/jep-mbrojtjen-zyrtari-akuzuar-se-kercenoi-instruktorin-e-autoshkolles/

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hamdi Tërpeza në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, ka tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi në atë mënyrë që në cilësinë e të punësuarit në stafin civil të Drejtorisë së Logjistikës së Policisë të Republikës së Kosovës, me qëllim që vëllai i tij Artan Tërpeza ta japë provimin për patentë shoferë për kategorinë “B”, pa iu nënshtruar fare provimit nga pjesa teorike dhe praktike.

Më tej në aktakuzë thuhet se më 20 janar të vitit 2013, Hamdi Tërpeza përmes telefonit e ka thirre të dëmtuarin Kasim Hoxha dhe e ka kërcënuar me fjalët: “Në rast se nesër nuk e kryen testin po të betohna, pasha natën e vorrit nuk e kryen i gjallë pa të lidh sikur qenin nuk e la… Shko ku të duash nesër je i lidhtë, vi në stacionin e autobusëve dhe të pres deri te del Artoni”.

Në bazë të aktakuzës, të nesërmen në mëngjes Hamdi Tërpeza ka shkuar në Stacion të Autobusëve me automjetin zyrtar dhe pasi e ka takuar instruktorin Kasim Hoxha pa u prezantuar fare e ka pyetur: “A ia kryen testin”, ndërsa kur i dëmtuari ka mohuar, e ka kapur për krahu dhe i ka thënë: “Hajde me mua deri te vetura zyrtare”, pasi që i dëmtuari kishte rezistuar tutje thuhet se Hamdiu i kishte thënë se do të shkojë ta marrë komandantin dhe do të kthehet prapë, duke iu drejtuar me fjalët: “E ka ndreq terrenin  për sot që me e lidh”.

Po ashtu prokuroria pretendon se Artan Tërpeza ka refuzuar ta pranojë dhe t’i nënshtrohet testit të provimit për patentë shofer sikurse kandidatët tjerë duke pretenduar me çdo kusht se vetëm i dëmtuari duhet t’ia plotësojë testin e provimit dhe ta kalojë në këtë provim.