Vrasja e gruas: Hetimet e Prokurorisë zbardhin vrasje në rastin që Policia e quajti aksident

Xhafer Shkodra do të dalë para Gjykatës në Gjakovë për t’u përgjigjur rreth aktakuzës, e cila e ngarkon për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Për nesër është paraparë seanca fillestare e gjykimit.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Nikollë Komani.

Kallxo.com mëson se aktakuza e Prokurorisë e rëndon Xhafer Shkodrën për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, me 19 gusht të këtij viti, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer dhe ish-bashkëshortja e tij Rabe ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejt e privon nga jeta tani të ndjerën.

Aktakuza thotë se i pandehuri Xhafer pas këtij momenti menjëherë është larguar ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Kallxo.com kishte raportuar për këtë rast.

Vrasja në Gjakovë: Burri i deklaron në polici se gruaja e kishte armën në dorë

Për këtë rast në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit është thënë se i pandehuri dyshohet se kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij Rabe Shkodra e moshës 61 vjeçare, si pasojë e një fjalosjeje të çastit mes tyre.

Xhafer Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht.

Ndërkaq komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj kishte thënë se dyshimet e para janë se incidenti është shkaktuar nga burri i të ndjerës dhe se janë vetëm dyshime për vrasje aksidentale.

Ekskluzive: Prokuroria rrëzon tezën e policisë se vrasja 61 vjeçares në Gjakovë ishte aksidentale

Ndërsa dy ditë pas vrasjes së 61 vjeçares në Gjakovë, Prokuroria kishte ndërruar qasje sa i përket kualifikimit të ngjarjes, duke e rikualifikuar si “vrasje e rëndë”.

Si rrjedhojë, pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Xhafer Shkodra, gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika, kishte caktuar masën e sigurisë prej një muaji.

Sipas deklaratave të familjarëve, respektivisht fëmijëve të tyre, bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga Policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur.

Policia e Gjakovës nuk komenton komunikatën e rrëzuar nga prokuroria për vrasjen në Gjakovë

www.kallxo.com