Gjykimi i Emin Krasniqit - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen e Skender Limajt hyn në vitin e nëntë

Në gjykimin e Emin Krasniqit, i akuzuar për veprën penale – vrasje e rëndë, avokati i tij, Florim Vërtopi, i është ankuar kryetares së trupit gjykues Raima Elezi se klienti i tij natën mes të mërkurës dhe të enjtes ka fjetur në dyshemenë e betontë dhe ka pasur vetëm një batanije në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Emin Krasniqi po akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprën penale – vrasje e rëndë, e kryer më 1 janar të vitit 2011 në Banjë të Malishevës, raporton KALLXO.com.

Sipas aktakuzës, pas disa mosmarrëveshjeve paraprake me familjen Limaj, Emin Krasniqi në bashkëkryerje me 4 anëtarë të familjes Krasniqi kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore.

I akuzuari Emin Krasniqi gjendet në paraburgim që gati 8 vjet.

Rasti i tij dy herë është gjykuar në shkallë të parë dhe dy herë në shkallë të dytë, ndërsa ky rigjykim është hera e tretë që po zhvillohet në shkallë të parë, raporton www.kallxo.com.

35 Vjet për Vrasjen në Banjë të Malishevës

Megjithatë, seanca e së enjtes ishte e 4-ta gjatë të cilës nuk u arrit të fillonte rigjykimi në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Po ashtu, avokati Vërtopi e akuzoi Prokurorinë Speciale për neglizhencë, joprofesionalizëm dhe joseriozitet në rastin e klientit të tij.

“Prokurori i tanishëm, Enver Krasniqi, është prokurori i 4-të që po ndërrohet në këtë çështje, dhe duke marrë parasysh volumin e jashtëzakonshëm të lëndës, që ka rreth 5.000 faqe, Prokuroria Speciale është duke treguar një joseriozitet jashtëzakonisht të madh”, tha avokati Florim Vërtopi.

Avokati shtoi se e gjithë kjo neglizhencë nga ana e Prokurorisë Speciale është duke i krijuar trupit gjykues dhe komplet procedurës ngarkesa të cilat e dëmtojnë komplet sistemin e drejtësisë, “e në veçanti janë duke i bërë dëm të mbrojturit tim Emin Krasniqi, i cili është që 8 vite në paraburgim e të cilit i është dëmtuar shëndeti, i është shkatërruar biznesi familjar, si dhe më e çmuara familja”.

Vazhdon Gjykimi për Vrasjen në “Kështjellë”

KALLXO.com do të sjellë raport të veçantë nga seanca e ditës së premte në rastin që po zhvillohet ndaj të akuzuarit Emin Krasniqi dhe 4 anëtarëve të tjerë të familjes Krasniqi.

Gjithashtu KALLXO.com do të sjellë historinë e rrjedhës procedurale që e ka përcjellë rastin që 8 vjet.