Punimet e pakryera në Shtërpcë | Foto: Raportuesit në KALLXO.com

Spitali “Për Spital” i Komunës së Shtërpcës

Shumë shkelje dhe shqetësime janë raportuar në KALLXO.com lidhur me funksionalitetin e këtij spitali e së fundmi këto shkelje i ka evidentuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas auditorit, Komuna e Shtërpcës ka blerë pajisje duke investuar në një projekt i cili ende nuk është përfunduar. Zyra e Auditorit gjen se pajisjet janë blerë dhe janë vendosur në depo.

Furnizimi me pajisje mjekësore Komunës së Shtërpcës i kushtoi rreth 117 mijë euro dhe e tëra kjo vetëm që ato të vendosen në depo, pasi që spitali ende nuk është i përfunduar.

Gjithashtu një e gjetur tjetër është edhe fakti se 20 punëtorë të Spitalit të Shtërpcës marrin paga edhe pse spitali nuk është në funksion.

Shqetësime lidhur me punëtorë fiktivë ishin raportuar disa herë në KALLXO.com, e këtë çështje e ka ngritur edhe asamblisti i VV-së në Komunën e Shtërpcës, Ali Halimi.

“Përveç zotëri Minderz Hysenit i cili është i rregullt në orarin e punës, të tjerët nuk dihet se kush janë”, tha Halimi për KALLXO.com.

E këtë çështje e konfirmojnë edhe të dhënat e Auditorit të Përgjithshëm.

“Në shëndetësinë sekondare, përkatësisht në spitalin e Shtërpcës, janë të punësuar 20 persona të cilët paguhen përmes listës së pagave me orar të plotë. Vlera e shpenzuar gjatë vitit për pagat e këtij stafi është 121,066€. Spitali i Shtërpcës ende nuk është ndërtuar dhe si i tillë nuk është në funksion. Të vetmen punë që kryejnë këta të punësuar është zëvendësimi i punëtorëve të shëndetësisë primare,” thuhet në Raportin e Auditorit për Komunën e Shtërpcës.

Një veprim i tillë sipas raportit të Auditorit shpie në situata të humbjes potenciale financiare dhe pagesave të parregullta.

KALLXO.com lidhur me çështjen e spitalit të Shtërpcës provoi të kontaktojë edhe me drejtorin e  Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sabri Murselin, por ai tha se nuk mund të përgjigjet për këtë gjë.

Çmimet e Komunës së Shtërpcës të papajtueshme me tregun

Përpos të gjeturave të prioritetit të lartë lidhur me spitalin e Komunës së Shtërpcës, auditori shkelje ka gjetur edhe me një projekt tjetër.

Në projektin për infrastrukturën në mes të katër ndërtesave të banimit dhe spitalit janë investuar rreth  749 mijë euro.

Me datën 16 tetor 2013 komuna ka lidhur kontratë në vlerë 749,594 euro, për rregullimin e hapësirave në mes katër ndërtesave dhe spitalit, ku përfshihet edhe furnizimi me ujë të pijshëm, kanalizimi i ujërave të zeza dhe rregullimi i infrastrukturës.

“Çmimet e kontraktuara janë në shpërputhje ekstreme me çmimet e tregut, ku për disa artikuj janë shumëfish më të larta dhe për disa të tjerë shumëfish më të ulëta”, thuhet në Raportin e Auditorit për Komunën e Shtërpcës.

Çmimet e armaturës, betonit si dhe çmimet e gërmimit të dheut në mes të çmimeve të Komunës së Shtërpcës të kontraktuara dhe çmimeve sipas KRPP-së, (Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik), kanë diferencë marramendëse me plot 136,173 euro.

Përderisa KRPP-ja e vlerëson me çmim prej 5313 euro një gropë septike prej betoni, Komuna e Shtërpcës të njëjtën e ka kontraktuar me çmim prej plot 44,688 euro.

Edhe tek gërmimi i dheut ka diferenca të tilla ku komuna e ka kontraktuar për 11,250 euro gërmimin e 450 metrave kub dhe, këtë punë KRPP-ja e vlerëson me çmimin 1980 euro.

Përveç  çmimeve shumë të larta të kontraktuara të Komunës së Shtërpcës, ka edhe çmime që janë shumëfish më të ulëta se ato të tregut, e diferenca e konstatuar në këtë rast është plot 173,956 euro.

Përderisa komuna e vlerëson me 4510 euro shtrimin me kubëza të betonit të 4510 metrave katrorë, për KRPP-në çmimi i tregut për këtë punë është 61,922 euro, pra diferenca  është 57,412 euro.

4460 metra katrorë për Komunën e Shtërpcës kushtojnë 4460 euro, ndërsa sipas KRPP-së vlera reale e kësaj punë është 80,280 euro, pra diferenca në mes të çmimit të kontraktuar dhe atij të tregut është plot 75,820 euro.

Zyra e auditorit ka gjetur edhe shkelje tjetër gjatë punimeve të kontraktura nga Komuna e Shtërpcës.

“Si pasojë e parregullsive me çmime, më 11.08.2014 komuna ka lidhur aneks-kontratë për blerjen e betonit dhe armaturës në shumë prej 74,179 eurove, ndërsa sipas raportit të organit mbikëqyrës të datës 10.12.2013, punimet veç ishin të përfunduara,” thuhet në të gjeturat e Zyrës së Auditorit.

Gjtihashtu e gjetur tjetër është se vonesa e konsiderueshme prej 200 ditësh në realizimin e punimeve.

“Edhe pse sipas planit dinamik kontrata është dashtë të implementohet brenda 300 ditësh pune, punimet ende nuk janë përfunduar. Vonesat në ekzekutim janë më shumë se 200 ditë pune. Asnjë gjobë ndëshkuese ndaj operatorit nuk është llogaritur,”thuhet në raport.

Komuna e Shtërpcës në përgjigjen e tyre për Zyrën e Auditorit lidhur me çështjen e pagesës së punimeve pasi janë përfunduar, arsyetohen se kanë dalë rrethana të paparapara.

“Në bazë të kontratës themelore janë paguar pjesë të punimeve të kryera në rezervuar, ku gjatë punimeve është konstatuar se kapaciteti i tij do të jetë i vogël (100m3) për furnizim me ujë të pijshëm për 4 ndërtesat dhe spitalin. Duke pasur parasysh se banorët që kanë pronat ku kalon traseja e ujësjellësit, do të kërkojnë nga komuna kyçjen për ujë, organi mbikëqyrës ka kërkuar zgjerimin e rezervuarit edhe për 200 m3 dhe lidhjen e aneks- kontratës ku vëllimi i rezervuarit do të ishte 300 m3,” thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtërpcës për Zyrën e Auditorit.