Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës ende jashtë funksionit
Fluksi i madh i pacientëve sidomos në kohën e gripit dhe virozave vërehet në Repartin e Pediatrisë në QKMF-në “Nexhat Quni” në Mitrovicë. E gjithë kjo pasi Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm, nuk është funksionalizuar ende dhe pacientët detyrohen të marrin shërbime në Repartin e Pediatrisë në QKMF-në “Nexhat Quni” në Mitrovicë.
Në shtator të vitit kaluar nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për KALLXO.com se Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” do të funksionalizohet në fund të dhjetorit 2023.
Videoja e publikuar në shtator 2023
Më datë 22 janar ekipi i KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes për të parë nëse ky repart është funksional, mirëpo në të njëjtin ende nuk kanë filluar të ofrohen shërbime mjekësore.
Laura Nushi, drejtoreshë në Spitalin e Mitrovicës tha se Reparti i Pediatrisë pritet që të funksionalizohet në fund të muajit janar.
“Kushtet atmosferike e kanë ngadalësu ritmin e punës sepse nuk ka pasë pengesa të tjera, pengesa administrative ose pengesa të punëkryesit. Punimet praktikisht janë kry. Reparti pritet të funksionalizohet më datë 30, 31 janar. Ministria e Shëndetësisë afatin kohor e kanë dhënë më 18 dhjetor, mirëpo vetëm kushtet atmosferike janë pengesë pse nuk janë kry deri tash”- ka thënë Nushi për KALLXO.com.
Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për KALLXO.com se punimet janë në përfundim.
“Është duke u punuar Epoxi, e cila sipas kontratës dhe normave teknike kërkon tri faza (gërryerja dhe baza, shtresa e kuarcit dhe shtresa finale) dhe presim brenda javës të përfundoj. Gjithashtu është mirëkuptimi i kontraktorit që të realizoj edhe Reduktuesin e presionit të gazit medicinal”- pohuan ata.
Pyetur se pse funksionalizimi i këtij reparti është zvarritur aq shumë, nga ministria kanë thënë se është dashur të bëhet evitimi i lagështisë.
“Punimet nga kontrata e Renovimit, nuk janë zvarritur, i kontraktuari ka punuar në dinamikën e paraparë sipas kontratës 50 ditë, por te pozicioni i dyshemesë, të estrihu i punuar është dashtë kohë për evitimin e lagështisë, për të mundësuar punimin e shtresës finale të Epoxit. Disa herë janë bërë matjet e lagështisë dhe këto ditë jemi njoftuar që lagështia është evituar dhe pritet punimi i estrihut”- thuhet në përgjigjet e ministrisë.
Ndryshe, sipas ministrisë mbi 500 mijë euro nevojiten për funksionalizimin e Repartit të Pediatrisë.
Kontrata në vlerë 5,824 euro për projektimin e funksionalizimit të Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës është nënshkruar më 26 qershor.
Tenderi për funksionalizimin e Pediatrisë në Mitrovicë në vlerë 500 mijë euro ishte hapur në maj të vitit të kaluar.
(Shënim, tektstit i janë shtuar përgjigjet nga Ministria e Shëndetësisë. Koha e editimit: 16:51)