Spitali i Vushtrrisë

Dyshimet për përfshirje në korrupsion, arrestohen dy mjekë në Vushtrri

Spitali “Sheikh Zayed” në Vushtrri ka njoftuar se dy doktorë janë arrestuar pas pretendimeve se të njëjtit janë përfshirë në një aferë korruptive.

Sipas njoftimit, të njëjtit janë suspenduar edhe nga puna.

Gjithashtu, një doktor tjetër është telefonuar për t`u dorëzuar në polici dhe ndaj të njëjtit është marrë vendimi që të shkarkohet nga ushtruesi i detyrës së shefit të repartit në spital.

“Ju njoftojmë se policia e Kosovës e ka arrestuar në Spital, dr. A. L. dhe dr. E. S. Ndërsa dr. I. Z. është është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici” – thuhet në njoftim.

“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. I. Z. shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. E. S. dhe dr. A. L. suspendohen nga puna deri në një vendim të ri” – thuhet tutje në njoftimin e spitalit “Sheikh Zayed”.

Së fundmi mediat raportuan për përfshirjen e tre mjekëve në një aferë të korrupsionit. Ndërsa, për rastin reagoi edhe ministria e Shëndetësisë.

Dikasteri që drejtohet nga Arben Vitia premtoi se do të bashkëpunoi me organet e hetuesisë për të adresuar pretendimet e raportuara nga mediat.

“Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve, ditëve në vijim do të ndërmerren të gjitha masat e parapara ligjore” – thuhej në njoftim.

Dyshimet për përfshirjen e tre kirurgëve në korrupsion, MSH tregon se rasti po hetohet

www.kallxo.com