Pamje nga një takim i mëhershëm i Komisionit për Legjislacion

Shtyhet Shqyrtimi i Ligjit Kundër Financimit të Terrorizmit

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Legjislacion e kanë lënë për të hënën shqyrtimin e ndryshimit të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Ndryshimet që u miratuan në seancën e së mërkurës në lexim të parë janë lënë që të shqyrtohen sot në komision para se ligji të dalë për votim përfundimtar të mërkurën e ardhshme.

Nënkryetarja e këtij Komisioni, Selvije Halimi tha për KALLXO.COM se kjo mbledhje është shtyrë për të hënën e ardhshme, pasi që deputetët kanë kërkuar që të kenë para vetës një raport sa më të detajuar të projektligjit për të cilin ishte paraparë të diskutohet sot gjatë mbledhjes.

Mirëpo prej që deputetët opozitarë kanë bojkotuar pjesëmarrjen e tyre në komisionet parlamentare, problemet e tilla ka qenë të shpeshta. Në raste të shumta nuk është arritur kuorumi i duhur për fillimin e mbledhjes.

Ndërsa kohëve të fundit përveç deputetëve opozitarë që nuk po marrin pjesë, janë edhe deputetët e koalicionit të cilët po mungojnë ne mbledhje e seanca të Kuvendit.

Madje edhe i pari i Kuvendit, Kadri Veseli ka pasur disa herë kritika për deputetët duke u tallur me ta se po regjistrohen para seancave vetëm sa për t’i marrë mëditjet dhe po ikin nga seancat.