Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Financim të Terrorizmit në Iran- Shtyhet Gjykimi

I akuzuari për financim të terrorizmit Hasan Azari Bejandi, drejtori i OJQ-së “Kurani” nuk është paraqitur në gjykatë.

Gjyqtari Vesel Ismaili bëri të ditur se avokati i të akuzuarit Esat Gutaj më 13 maj të këtij viti kishte bërë kërkesë që seanca të shtyhej në shtator, për arsye se i mbrojturi i tij gjendet në Iran.

Gutaj në kërkesën e tij për shtyrje të seancës ka thënë se i akuzuari Hasan Azari Bejandi do të jetë i pranishëm në gjykatore në shtator.

Prokuroria Speciale ngarkon Azari Bejandin për katër pika të aktakuzës lidhur me financim të terrorizmit.

Sipas aktakuzës, më 7 tetor 2014 Policia e Kosovës, Drejtoria kundër Terrorizmit ka pranuar informacion nga Dogana e Kosovës, Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” se më 1 tetor të vitit 2014 ka ardhur një pako nga shteti i Iranit përmes Dubait dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në adresë të një rruge në Prizren.

Përmbajtja e pakos ka krijuar dyshimin për veprën penale që ndërlidhet me terrorizëm dhe si rezultat, PSRK-ja ka hapur hetimin dhe ka kërkuar nga gjykata zbatimin e masave të fshehta dhe teknike të hetimit.

Më pas gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për zbulimin e të dhënave financiare për të akuzuarin në fjalë.

Si rezultat i të gjeturave, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Hasan Azari Bejandit në korrik të vitit 2016.

Prokuroria pretendon se i akuzuari si drejtor i OJQ-së “Kurani” me seli në Prizren, më 6 gusht të vitit 2014 në xhirollogarinë e OJQ- së, ka pranuar nga Besnik Shala shumën prej 2.000 euro në emër të donacionit, për të cilat nuk ka lejim të pranimit nga Njësia për Inteligjencë Financiare (NJIF).

Sipas prokurorisë, OJQ “Kurani” kishte pranuar donacione edhe në raste tjera në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Parandalimin e Financimit të Terrorizmit.

Më 3 nëntor 2014 në xhirollogarinë OJQ- së “Kurani”, ka pranuar 21.454,00 euro nga Kina, ndërsa në kërkesën drejtuar NJIF- it për lirimin e mjeteve ka bërë deklaratë të rrejshme se paratë do të vijnë nga shteti i Kuvajtit.

Më 28 maj të vitit 2015 ka pranuar në xhirollogarinë e OJQ- së “Kurani” para në shumë prej 30.000,00 euro, të deponuara nga Kenan Akyol në Turqi, për të cilat i akuzuari, ka paraqitur kërkesë në NJIF për lirimin e parave një ditë më vonë dhe nuk ka ofruar dëshminë e kërkuar nga NJIF-i për marrëveshjen e nënshkruar me donatorin.

Në aktakuzë thuhet se Hasan Azari Bejandi nuk i ka ruajtur të gjitha llogaritë të cilat dëshmojnë të ardhurat dhe shpenzimet e OJQ- së “Kurani” ashtu që nga viti 2005 deri më 6 gusht 2015 tërheqjet bankare kanë qenë më të mëdha se të hyrat në shumën prej 291.970,67 euro, e cila shumë e parave nuk është raportuar në Njësinë për Inteligjencë Financiare.

Azari Bejandi gjatë marrjes në pyetje nga Policia e Kosovës me autorizim të prokurores Drita Hajdari ka thënë se çdo herë që ka pranuar donacione për OJQ-në “Kurani” ai ka raportuar tek NJIF.

I akuzuari ka deklaruar se nuk ka raportuar në Njësinë për Inteligjencë Financiare paratë e gatshme të pranuara, meqenëse ka konsideruar se këto janë para personale nga kursimet e tij.

Më tej, ai ka deklaruar se OJQ “Kurani” merret me aktivitetet si mësimin e Kuranit si dhe mësimin e gjuhëve të huaja për nxënësit, botimin e revistave dhe librave me përmbajtje fetare dhe aktivitete të ndryshme kulturore.

Gjashtë ditë më parë në Kosovë u zhvillua një konferencë që kishte për temë luftimin e financimit të terrorizmit, ndërsa në të kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se duhet të goditen burimet e këtij financimi.

http://kallxo.com/lumezi-te-goditen-burimet-e-financimit-te-terrorizmit/