Naim Ismajli, kryetar i komunës së Shtimes

Shtimja me ‘Asfalt Partiak’ dhe me Kallaballëk U.D. të Drejtorit

Edhe pse vetëm 31 kilometra larg Prishtinës, banorët e Shtimes kanë vështirësi në transportin e tyre drejt kryeqytetit.

Qytetarët presin autobusë dhe zbresin nga ta aty ku munden pasiqë komunës i mungon një stacion autobusësh.

Kryetari aktual Naim Ismajli e kishte premtuar një stacion të autobusëve qysh në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2009, por as sot, kjo komunë nuk ka një vend se ku të presin qytetarët për të pritur autobusin, si dhe nuk kanë një linjë të tyre të autobusëve.

Kësisoj, banorët e Shtimes duhet t’i presin autobusët që vinë nga Prizreni.  Ose të presin ndonjë taksi, ose kombi që punon në mënyrë ilegale.

Por udhëtarët nga Shtimja ankohen se autobusët e Prizrenit shumë shpesh i zbresin nga autobusi, studentët ose banorët e Shtimes, që mos t’u zihet vendi në ulëse atyre të Prizrenit.

“…Gjatë mandatit vijues Stacioni i Autobusëve do të ngritet në partneritet Publiko-Privat dhe në këtë formë edhe do të menaxhohet, dhe do të gjendet pika më e afërt e cila do t’i frekuentojë të gjitha rrugët, si Prizrenit, Prishtinës dhe e Ferizajt… kjo mendohet të jetë në funt të vitit 2011, në partneritet Publiko- Privat”, pati premtuar Ismajli në vitin 2009.

Por fjalët i ka të njëjtë edhe 7 vjet pas.

Në vitin 2016 ai ende pret që dikush të shkojë dhe të investojë në komunë të Shtimes, për një Stacion të Autobusëve pasi që komuna nuk e ka ndërmend të bëjë një investim të tillë.

“Këtë vit ne e përgatitëm projektin për shprehje të interesit se kush është i interesuar të vijë dhe të investojë… Komuna nuk do të bëjë investim në stacion sepse nuk na levërdis, ai është interesi i transportit publik”, tha Ismajli në debatin “Jeta në Komunë”.

Sipas tij, komuna ka provuar që të ngrisë edhe një linjë të veçantë të autobusëve për në Shtime, por që ka e rezulto me mosfizibiliteti, pasi që nuk ka interesim të kompanive të ndryshme.

Por komuna e Shtimes njihet edhe si njëra ndër komunat që ka më së shumti rrugë të asfaltuara.

Kjo komunë vetëm në 3 vitet e fundit ka ndarë më shumë se 4 milionë euro për investime kapitale, ku hyjnë asfaltimi i rrugëve, shtrimi i rrjetit të kanalizimit, ujësjellësit, dhe ndërtime të tjera.

Në vitin 2013, komuna ka ndarë 1 milion e 400 mijë euro, në vitin 2014 ka ndarë 1 milion e 530 mijë euro ndërsa vitin 2015 ka ndarë 1 milion e 400 mijë.

Ndërsa, nga lista e projekteve shumica e këtyre parave të ndara janë për asfalt.

Por në këtë komunë, ka disa rrugë, të cilat janë shtruar edhe për të dytën herë nga Ministria e Infrastrukturës, pasi që komuna i kishte shtruar shumë të ngushta.

Ka rrugë që është shtruar vetëm tri ose katër metra, ndërsa Ministrisë i është dashur të intervenojë, duke shtuar edhe një metër për ta zgjeruar atë rrugë.

“Ne i bëjmë rrugë me buxhetin tonë 3 metra dhe 4 metra por sa herë që na krijohet mundësia që t’i zgjerojmë ato rrugë, ne nuk i refuzojmë këto oferta “, tha Ismajli.

Përveç ‘arnimit’, të rrugëve ka edhe rrugë në të cilat mjafton një shi që bëhen të pakalueshme, shkaku i mungesës së drenazheve.

Ndërsa rruga “Jorenim De Rada” në qendër të Shtimes, ka mbetur e pa përfunduar. Opozita ankohet se kjo ka mbetur për shkak se aty jetojnë votues të LDK-së.

Ismajli tha se në Shtime nuk ka ndasi politike dhe partiake, por ndryshe mendon Selim Shabani, asamblist i LDK-së.

“Aty janë aktivistë të LDK-së, dhe na kanë deklaru që nuk shtrohet”, tha Shabani.

Njëjtë mendon edhe Labinot Beqa nga Vetëvendosje. Ai thotë se “premtimet e kryetarit që shumë vite janë të njëjtë” dhe që bazohen vetëm në shtrim rrugësh.

Përveç rrugëve, Shtimja ka probleme edhe me derdhjen e ujërave të zeza në lumin e qytetit.

Fshati Carralevë nuk ka rrjet të kanalizimit, ndërsa probleme me ujërat e zeza kanë edhe fshatrat Reçak, Pjetershticë, Rashincë dhe Vojnoc.

Ismajli tha se pritet që të merret një donacion austriak me të cilin do të investohet në rregullimin e rrjetit të kanalizimit si dhe shtratin e lumit që kalon në Shtime.

“Edhe nëse nuk e marrim këtë donacion, së paku shtratin e lumit do të mundohemi që brenda këtij mandati ta mbrojmë nga ujërat e zeza”, tha Ismajli.

Selim Shabani nga LDK-ja, tha se ky lum është bërë grumbullim i ujërave të zeza dhe mbeturinave.

“Lumi është shndërruar në deponi të mbeturinave … shumë herë e kemi ngritë këtë çështje (në asamble), e kemi ngritë në momentin kur është rregullu kanalizimi dhe kemi pasur vërejtje të konsiderueshme”, tha ai.

Por ndryshe mendon kryetari i komunës i cili thotë se në fillim ka pasur shumë komente të mira, por që mbeturinat aty mund të arrijnë në lumë si pasojë e vërshimeve.

Në debatin “Jeta në Komuna”, u ngrit edhe çështja e investimeve që janë bërë në arsim, si dhe në bujqësi.

Në këtë mandat është ndërtuar objekti i Shkollës së Mesme Profesionale në Shtime, ka përfunduar objekti i shkollës së së mesme “Emin Duraku” si dhe aneksi i shkollës së Gjurkovcit dhe Rashincës.

Por përkundër këtyre investimeve në këtë komunë, kalueshmëria e maturantëve në testin e maturës është shumë e ulët.

Vitin e fundit, testin  e kanë kaluar vetëm  24.37 për qind të maturantëve, kurse në afatin e dytë të gushtit e kanë kaluar vetëm 30.47 për qind.

Sipas kryetarit, përveç përpilimit të testit pasojë e këtij rezultati janë edhe mësimdhënësit.

“Ne kemi bërë edhe vlerësim të performancës së mësimdhënësve tanë, dhe e kemi parë që kemi nevojë për me marrë masa, për më mbajtë trajnime dhe në vende të caktime të marrim masa edhe më radikale, që të bëjmë zëvendësime për lëndët kryesore”, tha Ismajli.

Ndërsa për Labinot Beqen nga Vetëvendosje,  ky rezultat është si shkak që tani nxënësit nuk po munden me kopju.

“Më herët i madh e i vogël jemi qu me ju ndihmu nxënësve me kopju, por tash po vinë profesorë nga komunat  e tjera dhe rezultati është ky që është, po shihet realiteti”, tha ai.

Gjithashtu, në këtë komunë, në 4 shkolla, drejtorët e tyre janë me titull të ushtruesit të detyrës, për më shumë se dy vjet.

Bëhet fjalë për Shpresa Hajrizin, ushtruese e detyrës në shkollën “Bajram Curri” në  Petrovë,  Ilir Haxhiu, ushtrues detyre i drejtorit në shkollën e Mesme Profesionale,  Antigona Salihu, ushtruese e drejtorit të shkollës së mesme “Emin Duraku”, si dhe Faruk Bajrami, ushtrues detyre i drejtorit në shkollën  fillore “Skënderbeu”, në Reçak.

Kryetari tha se këta ushtrues detyre kanë mbetur të tillë shkaku i ligjeve që bien në kundërshtim me njëra tjetrin.

Ndërsa për Antigona Salihun, ushtruesen e detyrës së drejtorit të shkollës së mesme “Emin Duraku”, e cila është edhe bashkëshortja e drejtorit të Urbanizmit në kotë komunë, kryetari tha se e cilëson si njërën nga drejtoreshat më të suksesshme.

Për punësimet e tilla Labinot Beqa  tha se është faji partiak, si dhe presioni që u bëhet drejtorëve të tillë, për të vazhduar ta votojnë  partinë në pushtet.

“Pa e pasë librezën e PDK-së nuk mundesh me u punësu në këtë komunë, ka shumë njerëz që rrinë me master në shtëpi dhe që janë të pa punësuar vetëm pse s’janë PDK”, tha Beqa.

“Pozitat e ushtruesit të detyrës i mbajnë njerëzit vjerrë… Shtimja është e kapur në arsim”, tha Beqa.

Ndërsa Kadri Emini nga LDK-ja tha se përveç Ilir Haxhiut që i plotëson kushtet për të qenë drejtor, të tjerët nuk i plotësojnë kushtet por që po lihen si të tillë, deri në përfundim të mandatit.

“Janë me bachelor, nuk e di arsyen pse i lini të tillë, ndërsa Ilir Haxhiut i cili i plotëson kushtet vazhdon të mbetet ushtrues detyre”, tha Emini.

Kryetari Ismajli tha se, nëse ka persona që i plotësojnë kushtet për t’u punësuar në komunë, ose në çfarëdo sektori, atëherë ata edhe do të punësohen.

“Ne kemi shpallë konkursin brenda periudhës  6 mujore, dhe tash do ta shpallim edhe tjetrin, po s’ka pas interesim, Ilir Haxhiu është PDK, po presim performancë më të mirë”, tha Ismajli.

Gjithashtu në këtë debat, u diskutua edhe për Gurthyesit në komunën e Shtimes, si dhe furrat e gëlqeres të cilat operojnë pa leje nga Komuna si dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.