Shtetet e Quint-it Dënojnë Frikësimin e Votuesve Serbë

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve bënë thirrje për hetime ndaj presioneve të ndryshme për ndikim në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në një deklaratë të përbashkët, Ambasadat e Shteteve të Quint-tit thanë se kanë informacione për presion dhe frikësim të votuesve të komunitetit serb.

“Gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi marrë një numër raportesh thellësisht brengosëse lidhur me përpjekjet për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë përmes kërcënimeve dhe frikësimit. Në veçanti, duket se ka një përpjekje për të frikësuar dhe detyruar anëtarët e komunitetit serb të Kosovës që të votojnë në një mënyrë të veçantë. Veprime të tilla janë krejtësisht të papranueshme”, deklaruan këto ambasada.

Ambasadat e shteteve të Quint-it në Kosovë gjithashtu bënë thirrje për hetime ndaj rasteve të mundshme të kërcënimeve, duke ritheksuar nevojën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Këto zgjedhje janë një mundësi për qytetarët e Kosovës që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vetëm qytetarët e Kosovës e kanë këtë fuqi dhe përgjegjësi. Si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, ne do të punojmë me këdo që ju e zgjidhni”, thuhet tutje në deklaratë.