VIDEO - Kur Ramush Haradinaj nuk donte të debatonte me Avdullah Hotin

 

Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicionin Nisma e AKR janë bërë bashkë për të formuar qeverinë e re.

Lidhja Demokratike e Kosovës si kryesuese e këtij koalicioni ka propozuar Avdullah Hotin kandidat për kryeministër.

Hoti ka marrë mbështetje nga dy partitë opozitare për të qeverisur me vendin.

Kjo nuk është hera e parë që Avdullah Hoti ka qenë kandidat për kryeministër. Hoti kishte qenë kandidat për kryeministër i LDK-së në zgjedhjet e qershorit të 2017.

Në atë kohë LDK kishte qenë në koalicion ne AKR-në dhe Alternativën, me kandidat për kryeministër Avdullah Hotin.

Në po atë zgjedhje, koalicionit PAN (PDK, AAK, Nisma) kishin pasur për kandidat Ramush Haradinajn, të parin e AAK-së.

Në një intervistë dhënë për emisionin Jeta në Kosovë, Ramush Haradinaj, pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, kur ishte pyetur se pse nuk ka pranuar të dal në debat me kundërkandidatët, Albin Kurti e Avdullah Hoti, kishte deklaruar se nuk mund ta paramendoj të ulet në debat me Avdullah Hotin.

Ai madje kishte deklaruar se nuk ka dalë në debat për shkak të vlerësimit që ka për Hotin.

“Unë kam vendosë mos me dal në debat për shkak të vlerësimit që e kam pasë për të dytë (Avdullah Hoti dhe Albin Kurti)”, kishte deklaruar Haradinaj në 2017.

“Me Avdullah Hotin, për mua ka qenë gati e papranueshme me ulë e me u përballë me të. Unë e di që është një eksperiment që e ka bërë partia e tij me kandidaturë, pra është vetëm mos me ju dhanë lidership të tjerëve”, ishte shprehu Haradinaj në 2017.

“Unë s’kam mendu që është në funksion të asaj çka bëjë, me shku me u përballë me Avdullahun e Albinit. Është me u tallë me vetën me u përballë me ta”, ishte shprehur tutje ai.

Tani, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, kryetar i së cilës është Ramush Haradinaj i ka deklaruar votat e grupit parlamentar të AAK-së për Avdullah Hotin për kryeministër.