Reçaku. Foto: Kallxo.com

Ambasadorët e Quintit përkujtojnë masakrën e Reçakut

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në një deklaratë të përbashkët kanë përkujtuar masakrën e Reçakut të ndodhur 21 vite më parë.

Përmes një komunikate për media, kanë thënë se kjo ‘masakër përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofe humanitare’.

Gjithashtu, sipas tyre, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi.

“Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre. qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen si në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend “i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë.” Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, thuhet në komunikatën e ambasadorëve të vendeve të Quintit-it.

Kujtojmë se javë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e kishte quajtur trillim të William Walker masakrën e Reçakut.

Walker ka ardhur në Kosovë për përvjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe më 15 janar 1999 në Reçak.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia