ARKIV Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it. Foto: ZKM

Në prag të takimeve në Bruksel, Kurti u takua me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Në ketë takim është biseduar për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate ka bërë të ditur se gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.

Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 18 gusht.

Me ftesën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, ky takim vjen pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendimeve të Qeverisë në lidhje me targat e automjeteve të serbëve të Kosovës me akronimet e qyteteve të Kosovës që duhet të regjistrohen me RKS, dhe për reciprocitetin për dokumentet e udhëtimit.