Foto: KALLXO.com

Dështon sërish seanca ndaj të akuzuarve për manipulim me vota mes kandidatëve të LVV-së

Në seancën e së premtes e rastit për manipulim me vota në zgjedhjet parlamentare më 2017, ka dështuar të mbahet prapë shqyrtimi fillestar sepse mungoi për herë të dytë e pandehura Vlora Jasharaj.

Për të njëjtën gjykatësi Gëzim Ademi tha se do të bëhet kërkesë për verifikim të adresës pastaj do të lëshohet urdhëresë, kurse seanca e radhës pritet të mbahet më 4 shtator.

Edhe seanca më 3 korrik të këtij viti, kishte dështuar të mbahej për shkak që kishte munguar e njëjta e pandehur.

Luljeta Kelmendi, Altin Bektashi, Feime Sijarina, Arton Makolli, Vlora Jasharaj, Fatbardh Berisha, Avdullah Azemi dhe Samsun Bolukbashi akuzohen nga Prokuroria se kanë falsifikuar rezultatet e votimit për deputetë në Kuvendin e Kosovës, në qershor të vitit 2017.

Sipas dosjes së prokurorisë, të lartpërmendurit dyshohen se kanë manipuluar me gjithsej 69 vota të kandidatëve brenda subjektit të njëjtë politik, ashtu që kandidatëve të preferuar nga LVV u kanë shtuar 50 vota dhe kandidatëve tjerë nga i njëjti subjekt u kanë hequr 19 vota.

Të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake, dyshohet se i kanë kryer këto veprime në shkollën fillore “Dardania “ Prishtinë, në vendvotimin nr. 1904 E/08R.

Këto rezultate të falsifikuara i kishin bartur në Formularin e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve, me ç’rast kishin dëmtuar KQZ-në, përshkruhet në dosjen akuzuese.

Në kohën e kryerjes së veprës penale të pretenduar nga prokuroria, e akuzuara Luljeta Kelmendi kishte qenë në cilësinë e kryesueses së Këshillit të vendvotimit, ndërsa të pandehurit tjerë kishin qenë anëtarë të Këshillit.

Vepra penale që iu vihet në barrë të pandehurve është “ Falsifikimi i rezultateve të votimit”, neni 219 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 nga Kodi Penal.

Në dosjen e prokurorisë të datës 29.10.2021, përshkruhet se të pandehurit e kanë mohuar kryerjen e veprës penale që u vihet në barrë, dhe se nuk kishin pasur njohuri si kishin ardhur deri tek mos-përputhja e rezultateve të votimit.

Provat të cilat vërtetojnë sipas Prokurorisë, se të pandehurit kanë kryer veprimet e kundërligjshme i mbështet në: Librin e votimit për vendvotimin në fjalë, formulari i përputhjes së të dhënave  ku shihen votat e bartura, formulari i rinumërimit ku shihen votat reale, formulari i përputhjes së të dhënave të kandidatëve, formulari i rezultateve të kandidatëve i rinumëruar, subjektin politik dhe pasqyra e Rezultateve të numëruara në vendvotim dhe rezultatet pas rinumërimit.