Senati i UP-se

Senatorët studentë kërkojnë të mos bëhen avancime në UP me bazë në favorizime familjare

Shqyrtimi dhe marrja e vendimit për zgjedhjen e personelit të rregullt akademik pas rishqyrtimit nga Fakulteti i Filologjisë, Ekonomikut, Juridikut, Edukimit, Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës ngjalli debate të ashpra mes senatorëve.

Diskutimi u ashpërsua veçanërisht në momentin kur senatori student Arben Elshani përmendi lidhjet familjare të njërit nga kandidatët për avancim në Fakultetin Ekonomik.

Në Fakultetin Ekonomik, kandidati Imer Havolli u zgjedh profesor i asocuar ndërsa kandidati Petrit Gashi u rizgjedh profesor i asocuar. Ndërkaq, rasti i kandidatit Art Shala u shty për mbledhjen e ardhshme pasi që ngjalli polemika të shumta për avancimin e tij në thirrjen e profesorit asistent.

Senatori student Arben Elshani tha se ky kandidat nuk duhet të avancohet sepse është duke u bërë favorizim familjar.

“Javën e kaluar e kemi zgjedhur motrën e tij. Të mos bëhet universitet i familjarëve. Gjithashtu kemi marrë e-mail nga organizata të ndryshme që punimet e tij nuk janë kredibile.”, tha ai.

Ndërkaq, senatorja e Fakultetit të Mjekësisë Myrvete Paçarada iu drejtua senatorit student duke i thënë se “studenti duhet me ditë vendin e vet”.

Për këtë senatore lidhjet familjare nuk kanë rëndësi sepse sipas saj, “në Fakultet të Mjekësisë ka të punësuar babë e bir, nanë e babë”.

E për këtë dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli tha se nuk pajtohet me shprehjet e senatores që po i përdorë ndaj studentëve.

Senatorja Myrvete Pacarada e cila gjatë debatit për këtë kandidat kërkoi nga senatorët studentë që “ta dinë vendin e vet”, pas disa minutash kërkoi falje duke thënë se nuk ishte qëllimi që t’i ofendojë ata mirëpo sipas saj, studentët nuk janë vendimmarrës, si dhe duhet të respektojnë profesorët.

Prorektori Faton Berisha theksoi se kandidatit Art Shala punimi me të cilin do të avancohej nuk është publikuar ende. Kurse sipas prorektorit kundër kandidati i tij Ujkan Bajra është më i mirë sepse ka dy punime shkencore të indeksuara në Scopus dhe Ëeb of Science.

Kandidati i vetëm për avancim në Fakultetin e Filologjisë ishte profesori Ag Apolloni i cili ishte propozuar si profesor i asocuar nga Komisioni Recensues dhe Këshilli i Fakultetit, mirëpo sipas propozimit të Rektorit Marjan Dema nuk i plotësonte kushtet për këtë avancim, prandaj edhe u shty për mbledhjen e ardhshme.

Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli tha se nuk ka bazë ligjore për mos avancimin e Apollonit në thirrjen profesor i asocuar sepse siç deklaroi ai, kandidati ka mjaft punime të fushës së albanologjisë.

“Unë hulumtova dhe ai ka punime të mjaftueshme për t’u avancuar. Nuk mendoj se propozimi i juaj është i duhur sepse nuk e keni ekspertizën për të vlerësuar të gjitha fushat dhe nëse një herë nuk kalon propozimi juaj mendoj se nuk kërset kiameti. Unë nuk mbështes propozimin e rektorit që kandidati të mbetet në pozitën e njëjtë”, ka thënë Dugolli.

E kjo deklaratë e dekanit shtyu prorektorin për kërkime shkencore Faton Berisha që të reagojë ashpër.

“Pikërisht kjo logjikë e ka sjellë këtë senat si vend të dallaverxhive. Po që se mbështetemi në recensione pozitive të Këshilleve të Fakulteteve p.sh. FNA dhe Edukim të gjithë do të kishin kapërcyer. Propozimet nuk janë mendime për dikë dhe nuk jemi në nivel të mbështeteni vetën në to”, tha Berisha.

Pas kësaj deklarate, dekani Bujar Dugolli iu drejtuar prorektorit Berisha duke i thënë se ju jeni të emëruar dhe jo të zgjedhur prandaj edhe, sipas tij, rekrutimi në bazë të meritave i përket senatit.

“Mendoj se ju keni bërë ndërhyrje të mjaftueshme, si ju si ministria. Mos të vjen kaq shumë inati që s‘po kalon një propozim i joti prorektor”, tha Dugolli.

Në Fakultetin Juridik, kandidati Murat Jashari u rizgjedh profesor asistent, gjithashtu edhe kandidati Azem Hajdari u rizgjodh profesor i asocuar. Kandidatja Ilirjana Islami u zgjodh profesoreshë e rregullt. Ndërsa, u vendos që të shpallet konkurs për një pozitë të asistentit për lëndët administrative e kushtetuese.

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës: Kandidati Bashkim Idrizi zgjedhet për profesor asistent. Kandidati Ismajl Kabashi refuzohet për shkak të moshës dhe punimeve.

Fakulteti i Edukimit: Kandidati Ilir Muharremi profesor i asocuar. Profesori Ilir Muharremi rizgjedhet profesor asistent. Kandidati Tomor Çela refuzohet.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku kërkoi që të fillohen punimet për krijimin e një rregulloreje të re për avancimet e stafit akademik sepse sipas tij, kjo që është në fuqi pop shkakton probleme.