Senati i UP-së miraton në parim konkursin për nivelin Master

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka miratuar sot në parim konkursin për nivelin Master për vitin akademik 2021/22.

Konkursi u miratua në parim, pasi sipas rektorit të UP-së, Naser Sahiti, Universiteti ka programe të nivelit Master që janë në shqyrtim nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe sipas tij, në momentin që vendoset sipas rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtar, do të shpallet konkursi me kuotat e përcaktuara.

“Pas pranimit nga Agjencia për Akreditim dhe miratimit të kuotave nga ana e Ministrisë së Arsimit, ne do ta shpallim konkursin. Konkursin do ta shpallim me 15 shtator ashtu sikurse çdo vit”, tha Sahiti.

Në këtë mbledhje dekanët, po ashtu, paraqitën propozimet e tyre për mbajtjen e provimeve pranuese.

U vendos që në konkursin për studentë të rinj në nivelin Bachelor dhe Master, të i’u jepen 5 pikë kandidatëve që janë me aftësi të veçanta.

Konkursi me kritere do të bëhet publik së shpejti.