Eliminimi i Zenun Halilit ngjall polemika në Senat të UP-së

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot ka diskutuar në lidhje me raportin e komisionit profesional për përzgjedhjen e rektorit të UP-së.

I pari që mori fjalën ishte, kryesuesi i këtij komisioni, Qerkin Berisha, i cili para senatorëve paraqiti rezultatet e raportit që e kanë bërë komisioni, të cilët kanë shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve për rektor, për t ia dorëzuar më pas Këshillit Drejtues të UP-së.

Kryesuesi i këtij komisioni, Qerkin Berisha tha para senatorëve se çdo kandidat që është paraqitur dhe çdo e dhënë është analizuar me kujdes.

Ai foli edhe për eliminimin e kandidatit Zenun Halili.

“Çdo kandidat e kemi shiku nëse është në përputhje kundrejt ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit. Kur kemi analizuar të gjithë kandidatët sa i përket kësaj pike, kemi ardhur në përfundim që një prej tyre bie ndesh me këtë pikë, është fjala për Zenun Halili i cili ka mbajtur pozitën e anëtarit të KD-së”, tha Berisha.

Sipas tij, komisioni profesional në mënyrë unanime ka vendosur për kandidatët e përzgjedhur.

“Ne si komision kemi vendosur në mënyre unanime kemi vendosur që ne rastin konkret ja ndalon kandidatit në fjalë që të zgjidhet rektor. Ne nuk do të mund ta përfshinim si pjesë të listës kandidatin nëse kemi konstatuar se ka konflikt interesi sepse është e qartë dispozita ligjore”, tha ai.

Ai shtoi se në tabelën e përvojës akademike janë përfshirë të gjitha të dhënat e secilit kandidat.

Për eliminimin e kandidatit, Zenun Halili pati polemika mes dekanit të Fakultetit Filozofik, Dashmir Bërxulli dhe kryesuesit të komisionit profesional, Qerkin Berisha.

Bërxulli tha se komisioni ka tejkaluar kompetencat e tij dhe, sipas tij, ka dëmtuar kandidatin Zenun Halili.

“Formulimi është tepër i përgjithësuar pjesa e parë e dispozitës nuk është fare e lidhur me pjesën e dytë që e keni shënuar. Edhe Kodi Penal thotë se personi zyrtar që keqpërdor detyrën apo autoritetin zyrtar apo i tejkalon kompetencat e tij dënohet. Në këtë rast, Komisioni ka tejkaluar kompetencat dhe komisioni ka dëmtuar kandidatin, komisioni ka shkelur personin tjetër” tha ai.

Pas kësaj, Qerkin Berisha i tha atij se nuk mundet që ta interpretojë Kodin Penal.

“Ti s’mundesh me i interpretu ato, ti je tu ba interpretim të Kodit Penal. Sa i përket kritereve të konkursit, kemi qenë ne si komision mi shiku jo ju, sa i përket ligjit nuk u përket juve me interpretu”, tha Berisha.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj tha se diskutimi i raportit të komisioni profesional është teknik.

“Nuk e di sa kemi të drejtë na si Senat ta diskutojmë këtë raport edhe erdha në përfundim komisioni profesional se ka një detyrë teknike mi vërtetu sepse ato dërgohen në Këshill Drejtues”, tha ai.

Kryesuesi i senatit, Bujar Dugolli tha se tre kandidatët e përzgjedhur nga ana e komisionit i plotësojnë kriteret e vendosura.

“Kemi pasur fat që këta kandidatë i plotësojnë këto kritere dhe komisioni për punën e tyre është në suaza profesionale. Shpresoj që Këshilli Drejtues të marrë vendim që të zgjedhë një rektor që do të bëjë avancimin dhe zhvillimin e UP-së”, tha Dugolli.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që do të shqyrtohen nga senati dhe pastaj të dërgohen në Këshillin Drejtues të UP-së, i cili është organ vendimmarrës.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve të cilin komision e formon Senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, ka eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti. Ky komisioni ka larguar nga kandidatura Isuf Musliun dhe Zenun Halilin.

Ky i fundit për KALLXO.com ka thënë se do të ngrisë kallëzim penal ndaj komisionit profesional, pasi sipas tij i është bërë padrejtë.

Halili paralajmëron kallëzim penal ndaj Komisionit Profesional të senatit të UP-së

.