Sekiraqa: Revolen në Automjetin Tim e Vendosi Policia

Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po gjykohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, i akuzuari Enver Sekiraqa ka mohuar të ketë pasur ndonjë problem me policin tashmë të ndjerë para ngjarjes në “Swiss Casino”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Bostjan Penko, Sekiraqa mohoi pretendimin e Prokurorisë lidhur me një incident që supozohet të ketë ndodhur te “Rrethi”, në Prishtinë, në të cilin sipas palës akuzuese i akuzuari e kishte kërcënuar Triumf Rizën me një granatë dore kur polici tash i ndjerë e kishte ndalur në komunikacion.

“Asnjëherë ai mua nuk më ka ndalur dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë lloj incidenti mes nesh, as tani dhe as atëherë. Sikur të ndodhte kjo, një polic ndërkombëtar do të kishte me pasë një raport për atë që ka ndodhur”, tha i akuzuari, duke theksuar se gjatë kohës kur thuhet se ka ndodhur incidenti ai ka qenë i arrestuar.

Sekiraqa më pas tha se për këtë rast ishin interesuar edhe gazetarët dhe ishte bërë një intervistë, për të cilën tha se nuk e ka transmetuar RTK-ja.

“Ky program ishte ndaluar të transmetohej sepse politika nuk ka lejuar. Kam të dhëna që kanë shkuar njerëz të lartë të Parlamentit dhe nuk kanë lejuar transmetimin dhe kjo është diskutuar shumë gjerësisht në Parlamentin e Kosovës, sepse ajo deklaratë e ka prekur thelbin krimit të organizuar dhe njerëz të Parlamentit që kanë kryer krime lufte dhe që janë me vendim të plotfuqishëm të dënuar”, theksoi Enver Sekiraqa.

I akuzuari në dëshminë e tij mohoi po ashtu se i kishte ngritur kurth në fshatin Stagovë të Kaçanikut, Triumf Rizës, e gjithashtu tha se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë bandë të tij.

Gjithashtu, gjatë dëshmisë, Sekiraqa tregoi edhe lidhur me incidentin në “Swiss Casino”, i cili nga Prokuroria pretendohet të jetë njëri nga motivet e vrasjes së Triumf Rizës.

Sekiraqa tha se incidenti kishte filluar kur polici Arben Selmani e kishte qëlluar me krah dhe pastaj ka filluar sherri.

“Kur ka filluar rrahja, Triumf Riza ka qëndruar afër meje, afër shankut, pastaj kanë filluar të shtënat dhe ai më ka kapur për krahu dhe është munduar të më shtyjë drejt kacafytjes dhe unë prej frikës që po më rrokë ndonjë plumb jam koqitur dhe dora e tij ka rrëshqitur dhe më ka goditur në ballë por nuk ka qenë një goditje e rëndë. Mandej, atje ishte plagosur Arben Selmani dhe ka ardhur dhe më ka goditur me revole pas kokës. Kanë kërcitur edhe disa armë në vazhdim dhe pastaj nuk e di se çfarë ka ndodhur sepse kam qenë pa vetëdije dhe e kam parë veten në spital”, tha i akuzuari.

Sekiraqa kundërshtoi pretendimin e Prokurorisë se ky ishte motivi i vrasjes së Triumf Rizës, duke thënë se po të kishte diçka me Triumf Rizën do t’i çonte dikë që do t’i thoshte se më ke borxh por tha se për këtë rast përgjegjës e sheh Arben Selmanin.

Enver Sekiraqa më pas tregoi lidhur me incidentin që kishte ndodhur në Ferizaj. Tha se kishte qenë në Viti për të shikuar inventar për lokalin e tij, ndërsa ishte ndalur nga policia, ishte rrahur dhe në bagazhin e veturës i kishin vënë një revole. Këtë montim, siç e quajti lënien e revoles në automjetin e tij, ai bëri fajtor SHIK-un.

“Se SHIK-u qëndronte prapa kësaj ma ka konfirmuar edhe ish-gjenerali dhe kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, përmes një djali të quajtur Rrustem, shkurt i njohur si “Rrusta””, tha ai.
Enver Sekiraqa do të vazhdojë dëshminë e tij edhe nesër.

http://kallxo.com/sekiraqa-paraqet-mbrojtjen/