Vendi ku ndodhi vrasja në Prishtinë më 26.03.2024

Vrasja në Prishtinë, caktohet masa e paraburgimit ndaj një të dyshuari

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit L. H., i cili dyshohet se ishte pjesë e përleshjes me armë zjarri mes dy grupeve që ndodhi në Prishtinë, më 26.03.2024.

Ngjarja dyshohet se ndodhi rreth orës 21:15, në rrugën “Jeronim de Rada”.

Si pasojë e kësaj përleshje, një burrë mbeti i vdekur mbrëmjen e datës 26.03.2024 dhe tre të tjerë të plagosur. 

Një nga të plagosurit, një grua, e cila dyshohet se kishte qëlluar në veturë në afërsi të vendit të ngjarjes por që nuk kishte pasur të bëjë me rastin, ishte plagosur fillimisht në këmbë dhe më 27.03.2024 ka vdekur në QKUK, pasi nuk u mbijetoi plagëve. 

Edhe Policia e Kosovës e ka konfirmuar se 48-vjeçarja është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

Sipas njoftimit të Gjykatës, L. H. dyshohet se në bashkëkryerje me të pandehurit K. G. dhe B. K., të cilët gjenden në arrati kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Gjykata thotë se e ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj L. H., në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L. H. dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën vrasje e rëndë” – thuhet në njoftimin e Gjykatës, më 30.03.2024.

Gjykata po ashtu ka njoftuar se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në anën tjetër, Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prishtinës, në një intervistë për KALLXO.com më 27.03.2024 ka treguar nëse personat e përfshirë në rast janë të njohur për organet e rendit.

“Sipas informatave të para disa prej tyre kanë aktakuza të ngritura, të cilat janë edhe në cilësinë e të pandehurit, por në disa raste edhe si të dëmtuar” – tha shkurtimisht kryeprokurori.

Një numër i konsiderueshëm i veprimeve hetimore janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës për hetimin e konfliktit me armë zjarri që ndodhi më 26.03.2024, në kryeqytet. Dy persona mbetën të vrarë nga ky incident.

Gashi ka treguar se cilat veprime hetimore ishin ndërmarrë për të zbardhur rastin.

Sipas Gashit, bastisje në shtëpitë e të pandehurve e në objekte të tjera ku dyshohet se mund të kenë ikur të dyshuarit ishin kryer mbrëmjen e datës 26.03.3034 dhe më 27.03.2024.

Kryeprokurori Gashi tutje tregoi se përpos bastisjeve, hetuesit e angazhuar në këtë rast kanë kontrolluar edhe kamerat e sigurisë nga rrugët ku mund të kenë kaluar personat e dyshuar.

“Është angazhuar një numër i konsiderueshëm, i madh i policëve, edhe në bastisje edhe te kontrolli i veturave, është duke u bërë një numër i madh i kontrolleve e edhe i kamerave të sigurisë nga rrugët ku mund të kenë të kaluar të pandehurit dhe këto janë në fazën fillestare dhe për momentin nuk mund të jap detaje të tjera për hetime” – tha kryeprokurori për KALLXO.com.

Ai tha se në mesin e njësive të shumta policore që janë angazhuar në hetimin e këtij konflikti është angazhuar edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Nga hetimet e para që janë kryer është zbuluar se në rast janë përdorur armë të gjata e të shkurta.

Kryeprokurori tha se në vendin e ngjarjes hetuesit kanë arritur të gjejnë gëzhoja të plumbave që u takojnë armëve të gjata dhe të shkurta.