Seanca Ndaj Deputetit Shtyhet për Vdekje të Avokatit

Avokati vdiq në oborrin e Pallatit të Drejtësisë, teksa po shkonte pikërisht në seancën kundër Osmanit dhe të tjerëve.

I mbrojturi i këtij avokati Agron Kamberi, kërkoi shtyrjen e seancës, duke njoftuar gjykatën se avokati që e mbronte ka pësuar sulm në zemër dhe ka vdekur.

Kërkesën e Kamberit e mbështetën edhe avokatët e të akuzuarve tjerë të këtij procesi.

Pasi seanca u shty, edhe avokati Besnik Berisha mbrojtës i Naser Osmanit tregoi arsyen e njëjtë për mosmbajtje të seancës.

“Për shkak të një fatkeqësie të një kolegut tonë të respektuar, të avokatit Bajram Maraj që gjatë ardhjes në këtë gjykim pësoi infarkt kardiak me gjasë edhe vdiq, kështu që të gjithë ne që ishim aty u prekëm thellë dhe ishte kërkesë e klientit të tij dhe ne ju bashkëngjitëm që kjo seancë të shtyhet sot,” tha Berisha.

Ai aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe të tjerëve e cilësoi absurde.

“Klienti im dhe të tjerët akuzohen për shpërdorim të detyrës në rastin e votimit për lirimin e fabrikës “FAN”. Është një absurd i llojit të vet. Si absurditet është nisur, si absurditet do të përfundojë dhe kjo lëndë jo vetëm që do të rritë numrin e lëndëve të ashtuquajtura për korrupsion, por në fakt nuk ka apsolutisht lidhje me korrupsionin dhe kështu do ta vërtetojë edhe gjykata,” tha Berisha.

Naser Osmani për kohën kur akuzohet ishte nënkryetar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Bashkë me Osmanin po akuzohen edhe Bahri Shabani, Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Ardian Kelmendi dhe Agim Deshishku.

Përveç Agim Deshishkut që është blerës i ndërmarrjes “FAN” në Podujevë, të gjithë të akuzuarit tjerë ishin zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në kohën për të cilën akuzohen.

Sipas aktakuzës Naser Osmani e Bahri Shabani ngarkohen se në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur këtë detyrë duke ia mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror vetes ose tjetrit, përkatësisht blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Blerësi i kësaj fabrike sipas kontratës me AKP-në duhej të bënte investime në të. Osmani e Shabani akuzohen edhe se si anëtarë të Bordit Drejtues të AKP-së kanë vendosur dhe votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime brenda saj, duke liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Me këto veprime prokuroria pretendon se Osmani e Shabani kanë kryer keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Edhe Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi në cilësinë e personave zyrtar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit akuzohen si Osmani e Shabani në lidhje me përfitimin e paligjshëm të vetes ose blerësit të fabrikës “FAN” të Podujevës.

Lluka e Avdiu akuzohen se nuk ndërmorën masa edhe për zbatimin e  kontratës mes AKP-së e blerësit të fabrikës “FAN”.

Melita Ymeraga dhe Ardian Kelmendi ishin përgjegjës për monitorimin e investimeve të blerësit të ndërmarrjes “FAN”, ndërsa ata ngarkohen se “nuk kanë kontrolluar dhe monitoruar investimet e raportuara nga investitori, nuk kanë verifikuar deklarimet për investime, nuk kanë bërë monitorimin fizik të investimeve kapitale, verifikimin e dokumentacionit financiar të investimeve kapitale dhe zotimeve për punësim,”.

Agim Deshishku, blerësi i fabrikës “FAN” akuzohet se mashtroi zyrtarët e AKP-së me paraqitje të rreme ose fshehje të fakteve, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë dhe punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Deshishku akuzohet për mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe shmangie nga tatimi.