Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Mungesa e ujit në Pallatin e Drejtësisë, Gjykata e Prishtinës shqyrton ndërprerjen e punës
Gjykata Themelore e Prishtinës, përmes një njoftimi për media, ka reaguar lidhur me furnizimin me ujë brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë.
Gjykata e Prishtinës, ka bërë të ditur se gjenden në një situatë të vështirë prej tri ditësh me mungesë të ujit.
Kjo mungesë e ujit ka krijuar vështirësi të mëdha dhe ka rënduar gjendjen higjienike në Pallatin e Drejtësisë. Gjithashtu, ka ngritur shqetësime serioze për shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ të gjykatës
Me gjithë këtë situatë të rëndë që ka pushtuar objektin e gjykatës, gjyqtarët dhe stafi administrativ po vazhdojnë të punojnë.
Në reagim thuhet se Gjykata Themelore e Prishtinës është duke ndërmarrë veprime për të kërkuar ndihmë nga autoritetet kompetente, përfshirë Kompaninë e Ujësjellësit Regjional KUR Prishtina dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme – Divizionin për Menaxhimin e Ndërtesave.
”Nëse këto masa nuk merren brenda një kohe të arsyeshme, Gjykata Themelore e Prishtinës bën të ditur se do të shqyrtojë seriozisht mundësinë e ndërprerjes së punës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së ndonjë epidemie eventuale” – thuhet në njoftimin e gjykatës.
Lidhur më këtë, gjatë ditës së sotme, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujesjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, për KALLXO.com, ka thënë se ka probleme teknike.
Sipas saj, me kërkesë të departamentit të cilësisë së ujit, për shkak të problemeve teknike, është ulur sasia e ujit në trajtim nga ITUP Badovc, me qëllim të ruajtjes së cilësisë së ujit.