Veseli - Ruçi

Ruçi apelon që forcat politike në Kosovë të jenë unike në dialogun me Serbinë

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka bërë apel që forcat politike në Kosovë të jenë unike sa i përket dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë.

Ruçi pas takimit që pati sot në Tiranë me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli tha se dialogu është mekanizmi për të siguruar zgjidhje, për të garantuar edhe njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi.

“Presim që kjo zgjidhje të jetë afatgjatë dhe në interes të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Ruçi.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Kosova është duke shkuar me vendosmëri në finalen e dialogut që Kosova të merr ulëse në OKB.

“Jemi krenarë që kemi partnerë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se jemi krah me vendet që janë perëndimore. Ajo që e dëmton aktualisht Kosovën është mungesa e unitetit”, tha Veseli.